Zeynep Beyza Kılıç,Sibel Morrow
19 Maj 2023•Përditësim: 20 Maj 2023
Kryeredaktori i Gjuhëve Botërore të Anadolu, Erman Yüksel mbajti një fjalim në sesionin "Rusia-Bota Islame - Bashkëpunimi mediatik me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies ekonomike" në kuadër të Forumit të 14-të "Rusia-Bota Islame: Kazan Forum 2023" në të cilën AA është Partner Global i Komunikimit, raporton Anadolu.
"Ne duhet të jemi në gjendje t'i tregojmë botës historitë e suksesit të njerëzve tanë, vendeve tona dhe potencialit tonë më fuqishëm. Kjo mund të bëhet nëpërmjet një bashkëpunimi të fuqishëm së bashku", tha Yüksel.
Ai tha se në mbledhjet e rregullta fizikisht dhe përmes internetit mund të shkëmbehen ide dhe përmbajtje mes gazetarëve ndërkombëtarë.
"Si Anadolu, i kushtojmë rëndësi faktit që në Forumin e Kazanit të ndajmë njohuritë tona me kolegët tanë si dhe të mësojmë diçka prej tyre. Një nga organizatat më të rrënjosura transmetuese në botë, Anadolu muajin e kaluar festoi 103-vjetorin. Ka një përvojë shumë serioze. Këtë njohuri duam ta shfrytëzojmë në aspektin e bashkëpunimit. Besojmë se duhet hedhur hapa se si ky bashkëpunim mund të realizohet. Besojmë se duhet ngritur një sërë mekanizmash, që si rezultat i këtyre bashkëpunimeve mund të dalin projekte konkrete për të mirën e të gjithëve me një marrëdhënie interesi reciprok", theksoi Yüksel.
Ai tha se Anadolu në shumë vende të botës ka redaksi në gjuhë të ndryshme. "Ne jemi të gatshëm t'i kontribuojmë kësaj me mbledhjen e gazetarëve që flasin gjuhë të ndryshme. Të gjitha këto redaksi mund të kontribuojnë në fusha të caktuara. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe forcimit të bashkëpunimit në formën e konsultimeve ditore dhe javore", potencoi ai.
"Ka diçka që na atribuohet vazhdimisht. Ka një përpjekje që kjo anë e botës vazhdimisht të shpjegohet me luftë, çështje refugjatësh, gjak e lot. Ne duhet të jemi në gjendje t'i tregojmë botës historitë e suksesit të njerëzve tanë, vendeve tona dhe potencialit tonë më fuqishëm. Kjo mund të bëhet nëpërmjet një bashkëpunimi të fuqishëm së bashku. Por, është e rëndësishme që ne të vendosim sa më shpejt mekanizmat që do ta realizojnë këtë bashkëpunim dhe të ndërmarrim këto hapa", tha Yüksel.