Ayhan Şimşek
27 Mars 2023•Përditësim: 28 Mars 2023
Dhjetëra mijëra punëtorë transporti bllokuan Gjermaninë gjatë grevës së tyre më të madhe në vend gjatë tre dekadave, raporton Anadolu.
Qindra fluturime u anuluan në aeroportet kryesore në të gjithë vendin, duke përfshirë qendrat më të ngarkuara në Frankfurt dhe Munih.
Operatori kombëtar hekurudhor Deutsche Bahn anuloi të gjithë trenat në distanca të gjata dhe shumicën e shërbimeve rajonale të planifikuara për të hënën.
Drejtuesit e autobusëve, tramvajit dhe metrosë në shtatë shtete federale, duke përfshirë Bavarinë dhe shtetin më të populluar të vendit, Rajna Veriore-Vestfalia, iu bashkuan gjithashtu grevës.
Sindikatat "Ver.di" dhe "EVG" kishin bërë thirrje për një grevë 24-orëshe për të rritur presionin ndaj qeverisë dhe kompanive të transportit publik pas mosmarrëveshjes mbi pagat dhe kushtet e punës.
EVG, e cila përfaqëson më shumë se 200 mijë punonjës, kërkon një rritje pagash prej 12 për qind ose rritje prej më shumë se 650 euro në muaj.
Sindikata "Ver.di" filloi tashmë një seri grevash në fillim të këtij muaji në sektorë të ndryshëm pasi raundi i dytë i negociatave kolektive me qeverinë dhe autoritetet lokale përfundoi pa marrëveshje.
Sindikata, e cila përfaqëson rreth 2.5 milionë punonjës publikë, kërkon një rritje pagash prej 10.5 për qind, ose rritje prej më shumë se 500 euro në muaj.