Bota, Ekonomi

Greqia përfshihet nga greva e përgjithshme 24 orëshe

Greva vjen si pasojë e kostos së lartë të jetesës derisa punëtorët po kërkojnë marrëveshje kolektive mbi pagat që janë ulur gjatë krizës financiare gati 10-vjeçare të Greqisë që filloi në 2010

Ekip  | 20.11.2024 - Përdıtësım : 20.11.2024
Greqia përfshihet nga greva e përgjithshme 24 orëshe

Athinë

Punonjësit e sektorit publik dhe privat në Greqi kanë dalë në grevë të përgjithshme 24-orëshe duke ndërprerë shërbimet në të gjithë vendin, ndërkohë që transporti publik në kryeqytetin Athinë është pezulluar për disa orë, raporton Anadolu.

Në grevën e thirrur nga sindikatat marrin pjesë edhe stafi mjekësor në spitalet shtetërore dhe mësuesit, ndërkohë tragetet që lidhin ishujt me kontinentin gjithashtu janë pezulluar.

Greva vjen si pasojë e kostos së lartë të jetesës derisa punëtorët po kërkojnë marrëveshje kolektive mbi pagat që janë ulur gjatë krizës financiare gati 10-vjeçare të Greqisë që filloi në vitin 2010.

Dje, gazetarët e medias greke gjithashtu mbajtën një grevë 24-orëshe në shenjë mbështetjeje.

Marshime në shenjë proteste janë planifikuar në qendër të Athinës për sot më vonë.

Sindikatat kanë kritikuar qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për dështimin në trajtimin e inflacionit dhe politikave të strehimit, të cilat kanë gërryer standardet e jetesës së punëtorëve.

Kriza financiare e Greqisë ka zhdukur një të katërtën e ekonomisë së vendit pas dekadave të shpenzimeve të tepruara që e lanë atë të mbyllur nga tregjet ndërkombëtare të bonove.

Paketat e njëpasnjëshme të ndihmës ndërkombëtare erdhën me kushtin që Greqia të zbatojë reforma thellësisht jopopullore që përfshinin shkurtime të pensioneve dhe pagave, duke çuar në rritjen e nivelit të varfërisë dhe të papunësisë.

Që atëherë, Greqia i është rikthyer rritjes së shëndetshme dhe së fundmi ka rifituar statusin e shkallës së investimit, por ende mban shkallën më të lartë të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm bruto në Bashkimin Evropian (BE).



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.