Beyza Binnur Dönmez
25 nëntor 2022•Përditësim: 27 nëntor 2022
Infermierët në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë po përgatiten të hyjnë në grevë nga 15 dhjetori deri më 20 dhjetor për shkak të mosmarrëveshjes së pagave me qeverinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kolegji Mbretëror i Infermierisë (RCN) njoftoi se greva do të zhvillohet në të gjithë Anglinë, Irlandën e Veriut dhe Uellsin pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar refuzoi "ofertën për negociata zyrtare".
Ndërkohë, planet për veprim në Skoci janë ndërprerë pasi Edinburgu vendosi të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Duke theksuar se greva pak para Krishtlindjeve do të jetë faza e parë e veprimit të tyre, RCN-ja tha se "më shumë data të grevës do të shpallen pas veprimeve fillestare në muajin dhjetor, nëse qeveritë nuk arrijnë të ulen në negociata zyrtare".
"Ata kanë pushtetin dhe mjetet për të ndaluar grevat në çdo moment, por kanë zgjedhur të ndjekin këtë rrugë", tha RCN-ja.
Duke theksuar se mosmarrëveshja është edhe për shkak të sigurisë së pacientit aq sa edhe për pagat, sindikata tha se, "Nivelet e personelit janë aq të ulëta sa po rrezikohet kujdesi për pacientët. Vetëm duke paguar personelin infermieror në mënyrë të drejtë do të rekrutojmë dhe do t’i mbajmë njerëzit në profesionin tonë".
Sipas sindikatës, deri më tani në takimet me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar “ministrat kanë anashkaluar çështjet serioze” të pagave të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe të sigurisë së pacientëve.
“Ministrat kanë pasur më shumë se dy javë që kur ne konfirmuam se anëtarët tanë ndjenin një padrejtësi të tillë sa që të mbajnë grevë për herë të parë”, tha Pat Cullen, sekretari i përgjithshëm dhe shefi ekzekutiv i RCN-së.
Cullen tha se oferta e tij për negociata formale u refuzua dhe se “në vend të kësaj ministrat zgjodhën grevën”.
Aktualisht Britania po përjeton një valë veprimesh industriale, të shkaktuara nga një krizë e hidhur e kostos së jetesës, si pasojë e rritjes së inflacionit dhe ekonomisë së përkeqësuar.
Në fillim të kësaj jave, sindikata e Punonjësve të Hekurudhave, Detarë dhe Transportit njoftoi një seri grevash 48-orëshë hekurudhore në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.