Güç Gönel
01 Nëntor 2017•Përditësim: 01 Nëntor 2017
STAMBOLL (AA) – Kryeministri i Republikës së Turqisë, Binali Yıldırım, theksoi sot në Stamboll se forca kryesore e vendit të tij gjatë 10 viteve të ardhshme do të jetë tek investimet dhe eksporti, sfera të cilat në gjysmën e parë të këtij viti përbënin 3.9 për qind të shkallës së përgjithshme të rritjes ekonomike të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Yıldırım në Stamboll foli në kuadër të Javës së Këshillit të Eksportuesve Turq, ndërsa me këtë rast u përqendrua në temën e investimeve dhe ekonomisë.
Kryeministri turk theksoi se forca kryesore e Turqisë në periudhën e 10 viteve të ardhshme do të jetë eksporti dhe investimet e këtij vendi. Sipas tij, për këtë tregon fakti se 3.9 për qind e rritjes së përgjithshme ekonomike të Turqisë në gjysmën e parë të këtij viti, është realizuar pikërisht në këto dy sfera.
“Vazhdojmë me vendosmërinë tonë që nga Turqia të bëjmë qendër të madhe tregtare, jo vetëm në rajon, por edhe në mbarë botën”, tha Yıldırım për të shtuar se “Qëllimi jonë prioritar është formimi i infrastrukturës konkurruese ekonomike, që prodhon vlera shtesë dhe në fokus të së cilës do të jetë hulumtimi, zhvillimi, inovacioni dhe brendi”.
Ai shtoi se eksporti i Turqisë në muajin tetor të këtij viti është rritur për 15.6 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dhe arriti 13.5 miliardë dollarë. “Ky rezultat është më i miri gjatë 10 viteve të fundit. Nëse shikojmë rritjen e eksportit, ai mesatarisht arrin 11 për qind”, tha Yıldırım.