Riyaz Khaliq
19 Tetor 2020•Përditësim: 20 Tetor 2020
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka bërë të ditur se vendi ka miratuar një ligj të ri për të kufizuar eksportet e ndjeshme me qëllim për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nën ligjin e miratuar të shtunën nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar (NPC), tha zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Hua Chunying, "Kina mund të marrë kundërmasa ndaj çdo vendi ose rajoni që abuzon me masat e kontrollit të eksportit dhe paraqet kërcënim për sigurinë dhe interesat kombëtare të Kinës".
Ligji do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Chunying njoftoi se dokumentacioni teknik lidhur me artikujt e mbuluar nga ligji po ashtu i nënshtrohen kushteve të kontrollit të eksportit.
NPC po ashtu miratoi një ligj tjetër mbi bio-sigurinë.
Mediat lokale raportuan se ligji i ri thotë se bio-siguria është një "përbërës kryesor" i sigurisë kombëtare dhe se duhet të miratohet një "qasje holistike" ndaj sigurisë kombëtare në ruajtjen e bio-sigurisë.
Nën ligjin do të vendosen 11 sisteme themelore për parandalimin dhe kontrollin e rrezikut të bio-sigurisë, përfshirë monitorimin dhe paralajmërimin e hershëm të rrezikut të bio-sigurisë, si dhe hetimin dhe vlerësimin e rrezikut dhe ndarjen e informacionit.
Përveç kësaj, NPC miratoi një ligj të rishqyrtuar për "mbrojtjen e të miturve", i cili synon të forcojë mbrojtjen e të rinjve të mitur në hapësirën kibernetike.
Nga tani, ofruesit e shërbimeve në internet, përfshirë lojërat, transmetimin e drejtpërdrejtë, audio dhe video, si dhe mediat sociale, "për të miturit do të vendosin funksione përkatëse si afat kohor dhe kufij të përdorimit".
Ofruesve të shërbimeve dhe produkteve të internetit u është ndaluar t'u ofrojnë të miturve produkte dhe shërbime që shkaktojnë varësi.