Ekip
30 Maj 2016•Përditësim: 30 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Në Prishtinë sot u organizua ”Forumi Vjetor Publiko-Privat” nën përkujdesjen e Odës Ekonomike Amerikane, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e hapjes të këtij forumi morën pjesë Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, Safet Gërxhaliu Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna Drejtori i Doganës së Kosovës si dhe ministri i Financave Avdullah Hoti dhe përfaqësues të bizneseve dhe kompanive të ndryshme.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Odën Ekonomike të Kosovës dhe Doganën e Kosovës për bashkëpunimin e bërë për zhvillimin e partneritetit ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.
Ndërkohë ministri i Financave Hoti duke vënë theksin në punën që bëhet për zhvillimin e zonave ekonomike u shpreh se janë duke punuar në funksionalizimin e shumë zonave ekonomike prej të cilave në shtatë regjione janë finalizuar.
“Ato që së paku unë shoh nga zyra ime është se ka shumë më pak ankesa sesa që ka pasur në fillim të mandatit. Duke krahasuar me të kaluarën të hyrat buxhetore janë rritur dukshëm dhe kjo është mundësuar duke kumunikuar me biznese të ndryshme, në mënyrë që ato t'i përmbushin obligimet që i kanë ndaj shtetit dhe të bëjnë biznes në mënyre legale”, shtoi Hoti.
Ndërsa, duke dhënë detaje për historinë e Doganës së Kosovës dhe zhvillimin e saj drejtori i Doganës, Rafuna u shpreh se praktika e krijuar bashkë me Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike të Kosovës ka sjellë rezultate shumë pozitive dhe se tanimë ka më pak ankesa se vitet e kaluara.
“Ne krijuam shumë njësi të reja për të mundësuar lehtësimin e procedurave të të bërit biznes dhe kemi për qëllim të themelojmë edhe njësi të reja të cilat do të rregullojnë kualitetin e punës së oficerëve doganorë. Gjithashtu do të kemi bashkëbisedim me të gjitha sistemet e procedurave doganore për sfidat, progreset dhe do të dëgjohen ankesat dhe kërkesat nga ana e bizneseve të ndryshme që të zhvillohemi më tutje“, shtoi në fund Rafuna.
Forumi vazhdoi me fjalimet e përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme ku qëllimi i forumit është që t'u ofrojë bizniseve mundësinë që të jenë paguesit më të mëdhenj të detyrimeve doganore dhe të paraqesin shqetësimet e tyre për problemet me të cilat ballafaqohen në raport me zyrtarët doganorë.