Fatjon Cuka
10 Nëntor 2015•Përditësim: 11 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Ministri i Financave të Shqipërisë, Shkëlqim Cani nëpërmjet një konference për mediat ka shpjeguar se marrja e eurobondit prej 450 milionë euro me një afat pesë vjeçarë ka si synim lehtësimin e borxhit publik. Sipas tij, e mirë tjetër e këtij eurobdoni është heqja dorë nga marrja e kredive në tregun e brendshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
“Eurobondi është pjesë e një strategjie të gjerë që synon dhe realizoi lehtësimin e borxhit publik. Shqipëria arriti që të marrë 450 milionë euro me një normë interesi prej 5.75 përqind dhe kjo është një ngjarje për disa arsye, por arsye kryesore është që nuk është e lehtë të marrësh një borxh,. Marrja e eurobondit bëhet për dy qëllime kryesore, ku së pari për të zëvendësuar eurobondin e vitit 2010”- u shpreh Cani.
Një nga mënyrat kryesore për të nxitur kreditim, sipas Canit është që qeveria të tërhiqet nga marrja e kredive në tregun brendshëm, dhe të bëjë presion tek bankat që ti mbajnë normat e interesit të ulta. Me këtë shpjegon ministri i Financave të Shqipërisë, nxitet zhvillimi i ekonomisë, dhe i vihet në ndihmë biznesit dhe rritjes ekonomike.
“Pavarësisht nga sa thuhet ka 24 vite rresht, që Shqipëria kur bën buxhetin e vitit të radhës del me defiçit. Ashtu siç do jetë edhe buxheti i vitit 2015 dhe 2016. Në 25 vite ne do dalim me deficit. Kjo do të thotë që të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Ne nuk kemi arrit në asnjë vit të dalim me sufiçit. Kjo ndodh në shumë vende, edhe në vendet e zhvilluara. Për të qenë korrekt, ne po shpjegojmë eurobondin. Duke e pranuar që ne nga viti në vit ne do marrim borxh deri në 2020 do jemi ndër vendet që do të dalim me defiçit. Rëndësi ka që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se sa niveli i borxhit që marrim. Në këtë rast duket se ekonomia është në ecje”-u shpreh Cani.
Ndërkohë ost në mbyllje të bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe misionit të radhës të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp mes FMN-së, ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko.