Dzihat Aliju
26 Tetor 2016•Përditësim: 27 Tetor 2016
MANASTIR (AA) - Ka nisur punimet në qytetin e Maqedonisë jugore, Manastir, konferenca ndërkombëtare për rimëkëmbjen dhe promovimin ekonomik të rajonit të Pellagonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e hapjes së kësaj konference merrte pjesë edhe ministrja për Pushtetin Vendor e Republikës së Maqedoninë, Shyrete Elezi, ministri për Investimet e Huaja në Maqedoni, Jerry Naumof, Përfaqësuesja e Programit të OKB-së në Maqedoni, Louisa Vinton, kryetarët e bashkive të rajonit, biznesmenë nga qyteti Izmir i Turqisë dhe biznesmenë vendas.
Në një deklaratë për mediat, ministri për Investimet e Huaja, Naumof tha se ky rajon përbën një shans shumë të mirë për investitorët e mesëm dhe të mëdhenj të huaj dhe veçanërisht për ato të qytetit të Izmirit.
"Kam zhvilluar shumë vizita pune. Por kemi shumë firma turke që jemi në bashkëpunim. Kemi realizuar një sërë projektesh. Do të vazhdojmë edhe me të tjera", ka thënë ai.
Ndërsa ministrja e Pushtetit Lokal, Elezi, në fjalën e saj tha se kanë ardhur rreth 30 firma nga qyteti i Izmirit. "Në bashkëpunim me kompanitë dhe me organizimin e kësaj konference ne synojmë zhvillimin e rajonit të Pellagonisë", është shprehur ajo.
Duke theksuar se qeveria e Maqedonisë ka sjellë një sërë lehtësirash në bërjen e biznesit, Elezi në vijim tha se me këtë ata synojnë punësimin e të rinjve.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e OKB-së në Maqedoni, Vinton shprehu falënderimet për organizimin e kësaj konference e cila mundësoi takimin e biznesmenëve turq me ato të rajonit.
Vinton ka shtuar se kanë realizuar shumë punë në këtë zonë dhe se kanë partnerë të fuqishëm. "Ky rajon është shumë nxitës dhe i mirë për biznesin e huaj. Krahas kësaj ne të gjithë e dimë rëndësinë e zhvillimit të biznesit privat i cili është burim për vende pune, problem të cilin në zona të tjera e shohim shpesh", ka shtuar ajo.
Në vijim promotori ekonomik i Maqedonisë në rajonin e Izmirit, Alev Süleyman, ka shpjeguar për të pranishmit rëndësinë dhe mundësitë që Maqedonia jep për investimin e huaja.
Konferenca do të mbahet sot dhe nesër me takime dhe shëtitje pune.