Övünç Kutlu
01 Shtator 2023•Përditësim: 02 Shtator 2023
Moody's ka rishikuar parashikimin e rritjes ekonomike të Türkiye-s për këtë vit nga 2.6 në 4.2 për qind, sipas raportit Global Macro Outlook 2023, i përditësuar më 24 gusht dhe i publikuar të enjten, raporton Anadolu.
Agjencia globale e vlerësimit rishikoi gjithashtu parashikimin e saj të rritjes ekonomike për vitin 2024 për Türkiye-n nga 2 për qind, sipas vlerësimit të raportit të majit, në 3 për qind.
"Aktiviteti ekonomik në gjysmën e parë të vitit 2023 i tejkaloi pritshmëritë tona në disa vende", thuhet në raport, në të cilën është përfshirë dhe Türkiye.
Agjencia theksoi se pret që kushtet e vështira financiare të zgjasin gjatë vitit të ardhshëm, duke "frenuar rritjen globale".
Rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për G-20 vlerësohet të ngadalësohet në 2.5 për qind këtë vit dhe 2.1 për qind në 2024, nga 2.7 për qind sa ishte në vitin 2022.