Gökhan Ergöçün
29 shtator 2026•Përditësim: 29 shtator 2026
Ndjenja ekonomike dhe pritjet për punësim në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) dhe në Eurozonën shënuan rënie të lehtë në shtator, për shkak të uljes së besimit të konsumatorëve, transmeton Anadolu.
Komisioni Evropian raportoi se Treguesi i Ndjenjës Ekonomike ra me 0.4 pikë, në 97.9 pikë në BE ndërsa në Eurozonë ra me 0.5 pikë, gjithashtu në 97.9 pikë.
Edhe Treguesi i Pritjeve për Punësim shënoi rënie gjatë së njëjtës periudhë, duke ra me 0.6 pikë, në 98.3 pikë në BE dhe me 1.3 pikë, në 97.5 pikë në Eurozonë.
Besimi më i ulët i raportuar nga konsumatorët ndikoi në rënien e përgjithshme të ndjenjës ekonomike, edhe pse drejtuesit në sektorët e industrisë dhe ndërtimit shprehën besim më të madh.
Besimi në industri vazhdoi prirjen rritëse, duke u rritur me një pikë ndërsa besimi i konsumatorëve u dobësua me 0.8 pikë në të gjithë bllokun.
Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, treguesi i ndjenjës ekonomike ra ndjeshëm me 1.7 pikë në Francë dhe me 0.8 pikë në Itali ndërsa në Spanjë u rrit ndjeshëm me 3.4 pikë.
Drejtuesit e bizneseve rritën ndjeshëm pritjet e tyre për çmimet e shitjes në sektorët e ndërtimit dhe industrisë, ndërsa pritjet e konsumatorëve për inflacionin gjatë 12 muajve të ardhshëm u rritën me 1.8 pikë.
Treguesi i Pasigurisë Ekonomike u rrit me 1.2 pikë, duke arritur në 18.4 pikë. Kjo ndërpreu një prirje katërmujore rënëse, e cila kishte nisur pas kulmit të regjistruar në muajin prill.