Bahattin Gönültaş
15 Nëntor 2022•Përditësim: 15 Nëntor 2022
Kompania e tregtisë online me bazë në SHBA, Amazon, thuhet se po planifikon largime masive nga puna këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e "New York Times" (NYT) bazuar në burime anonime për këtë çështje, theksohet se Amazon po përgatitet të pushojë nga puna 10 mijë punonjës, si pasojë e rritjes së pasigurisë në ekonominë globale.
Në lajm thuhet se largimet nga puna do të jenë nga departamenti i burimeve njerëzore dhe shitjes me pakicë dhe pritet të fillojnë këtë javë.
Ndërsa Amazon nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare për këtë çështje, nëse e bën këtë, do të jetë largimi nga puna më i madh i kompanisë që nga themelimi i saj në vitin 1994.
Nga ana tjetër, më 9 nëntor, Meta, pronari i Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi se do të pushonte nga puna më shumë se 11 mijë punonjës.
Pas blerjes nga Elon Musk prej 44 miliardë dollarësh, filluan pushimet nga puna në kompaninë e mediave sociale Twitter dhe u njoftua se 50 për qind e punonjësve të kompanisë u pushuan nga puna.
Përballë pasigurive ekonomike globale, kompanitë janë të detyruara të ndërmarrin hapa për të ulur kostot e tyre dhe për të ndaluar punësimin.
Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i perspektivës makroekonomike në mbarë botën i detyrojnë kompanitë të përshtaten me situatën e re.