Övünç Kutlu
02 Tetor 2020•Përditësim: 02 Tetor 2020
Amazon njoftoi se pothuajse 20 mijë punonjës të saj kanë kontraktuar koronavirusin që nga marsi, hera e parë që kompania e tregtisë elektronike ka zbuluar një shifër që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Amazon në një deklaratë të enjten zbuloi se 19.816 punonjës kanë rezultuar pozitivë ose janë supozuar si pozitivë me COVID-19.
"Ne kemi bërë një analizë të plotë të të dhënave për të gjithë 1.372.000 punonjësit e vijës së parë të Amazon-it dhe Whole Foods-it në të gjithë SHBA-në të punësuar në çdo kohë nga 1 marsi deri më 19 shtator 2020", thuhet në deklaratë.
Kompania nuk tregoi numrin e vdekjeve në deklaratën e saj. Por, të paktën 10 punonjës të Amazon-it kanë vdekur nga COVID-19, gjë që Amazon e ka konfirmuar, sipas një raporti të NBC News të enjten.
Raporti thekson se rreth 500 mijë punonjës të Amazon-it në 110 struktura në të gjithë SHBA-të janë përpjekur të mbledhin të dhëna vetë për përhapjen e virusit përmes mesazheve me tekst.
Amazon është kritikuar prej kohësh për mungesë transparence, shëndetin e punonjësve, vënien e fitimit para sigurisë, aksidentet e shpeshta në depo, orët e gjata të punës dhe kushtet e këqija të punës.
Kur u lëshua paralajmërimi për tornado në Wisconsin në gusht, qindra punonjës të Amazon-it ishin ngujuar në dhoma pa dritare për gjysmë ore, sipas raportit.
Në Britani të Madhe, punonjësve në depot e Amazon-it iu tha në mars që të punojnë jashtë orarit për të përmbushur kërkesën e lartë, pavarësisht zyrtarëve britanikë që bënin thirrje për distancim fizik.
Ndërsa konsumatorët janë kthyer më shumë drejt blerjeve në internet për shkak të COVID-19, Amazon më 14 shtator shpalli njoftimin për punësimin e 100 mijë punonjësve të rinj në të gjithë SHBA-në dhe Kanada me qëllim të zgjerimit të operacioneve të saj.
Që nga fillimi i vitit 2020, kompania ka hapur mbi 75 kapacitete të reja, qendra të klasifikimit, shpërndarës rajonalë dhe stacione shpërndarjeje në të gjithë SHBA-të dhe Kanada. Kompania ka më shumë se 175 depo, të njohura si qendra kapacitetesh, në të gjithë botën përveç 110 institucioneve operacionale.
Amazon tha se shpërndan maska, dezinfektues për punëtorët dhe bën kontrolle të temperaturës ndërsa po punon për ndërtimin e një testi gradual për koronavirusin.
Kompania tha se derisa punonjësit marrin përfitime gjithëpërfshirëse shëndetësore duke filluar nga dita e parë, nëse ndonjë diagnostikohet me COVID-19 do të marrë deri në dy javë pushim me pagesë të plotë dhe më shumë nëse është e nevojshme.