Ekonomi

Stagnimi ekonomik i Gjermanisë sfidon tregun e punës

Për shkak të perspektivës ekonomike të stagnuar në Gjermani, në muajt e ardhshëm numri i të papunëve pritet të vazhdojë të rritet këtë vit dhe të kalojë shifrën prej 3 milionë për herë të parë në 10 vjet

Bahattin Gönültaş  | 03.01.2025 - Përdıtësım : 03.01.2025
Stagnimi ekonomik i Gjermanisë sfidon tregun e punës

Berlin

Recesioni ekonomik i Gjermanisë dhe fillimi i dimrit po ndikojnë negativisht në tregun e punës, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave mbi shifrat e papunësisë të Agjencisë Federale së Punësimit të Gjermanisë (BA), numri i të papunëve në vend, i rregulluar jo-sezonalisht, u rrit me 33 mijë persona në dhjetor krahasuar me muajin e kaluar, respektivisht duke arritur në 2.8 milionë.

Krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2023, numri i personave të papunë është rritur me 170 mijë.

Numri i të papunëve, të rregulluar sezonalisht, gjithashtu është rritur me 10 mijë në muajin dhjetor krahasuar me muajin e kaluar, nëntor, duke arritur në 2.87 milionë. Pritjet në tregje për numrin e të papunëve ishte që në tetor të rriten me 15 mijë.

Kryetarja e Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles tha se "pushimi dimëror në tregun e punës fillon në dhjetor dhe si zakonisht papunësia dhe puna pjesërisht u rritën në dhjetor".

Papunësia mesatare për vitin e kaluar u rrit me 178 mijë, duke shkuar në 2.8 milionë. Shkalla mesatare e papunësisë në vend u rrit nga 5.7 për qind në vitin 2023, në 6 për qind vitin e kaluar.

Në muajin dhjetor, numri i vendeve të lira të punës të regjistruara ishte rreth 654 mijë, një rënie prej rreth 59 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për shkak të perspektivës ekonomike të stagnuar në Gjermani, në muajt e ardhshëm numri i të papunëve pritet të vazhdojë të rritet këtë vit dhe të kalojë shifrën prej 3 milionë për herë të parë në 10 vjet.

Ndërkohë, pavarësisht rënies ekonomike, numri i përgjithshëm i të punësuarve në Gjermani u rrit në 46.1 milionë vitin e kaluar, shifër më e lartë që nga bashkimi i Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore në vitin 1990.

Nga ana tjetër, ekonomia gjermane u tkurr me 0.3 për qind në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, për shkak të niveleve jashtëzakonisht të larta të inflacionit që ndikon në fuqinë blerëse, çmimeve të larta të energjisë, rënies së investimeve, kërkesës së huaj të dobët dhe normave të larta të interesit.

Gjermania është vendi i vetëm midis vendeve të G7-tës që regjistroi tkurrje të ekonomisë.

Banka Qendrore Gjermane (Bundesbank) pret që ekonomia të tkurret me 0.2 për qind në vitin 2024, për shkak të kërcënimeve nga proteksionizmi tregtar, konfliktet gjeopolitike dhe ndryshimet strukturore.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.