Trump: Tarifat për produktet bujqësore të importuar fillojnë nga 2 prilli
“Për ‘fermerët e mëdhenj’ të SHBA-së: Bëhuni gati të filloni të prodhoni shumë produkte bujqësore që do të shiten brenda SHBA-së”, shkroi Trump

Istanbul
ISTANBUL (AA) - Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se SHBA-ja do të vendosë tarifa për produktet bujqësore të importuara duke filluar nga 2 prilli, transmeton Anadolu.
“Për ‘fermerët e mëdhenj’ të SHBA-së: Bëhuni gati të filloni të prodhoni shumë produkte bujqësore që do të shiten brenda SHBA-së”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Presidenti amerikan nuk specifikoi se cilat produkte bujqësore do të preken apo nëse do të ketë ndonjë përjashtim.
Gjithashtu mbetet e paqartë nëse masa është pjesë e planit të tij të njoftuar më herët për të vendosur të ashtuquajturat detyrime “reciproke” mbi pothuajse të gjithë partnerët tregtar të SHBA-së.
Në kuadër të përpjekjeve të tij të deklaruara për të mbrojtur industrinë amerikane dhe për të nxitur prodhimin amerikan, Trump tashmë ka vendosur tarifa 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit.
Trump po ashtu është zotuar të zgjerojë tarifat në një sërë industrish të tjera, duke përfshirë bakrin, gjysmëpërçuesit, automobilat, farmaceutikën dhe lëndët e drurit.
Në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj vendeve për të shtrënguar fentanilin dhe emigracionin e paligjshëm, Trump javën e kaluar njoftoi se planifikon të vendosë tarifa prej 25 për qind ndaj Kanadasë dhe Meksikës, së bashku me një tarifë shtesë prej 10 për qind ndaj Kinës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.