Levent Tok,Ömer Koparan,Adham Kako
27 Dhjetor 2018•Përditësim: 28 Dhjetor 2018
LEVENT TOK/ÖMER KOPARAN
MUNBIXH/ANKARA (AA) - Organizata terroriste YPG/PKK, vazhdon të hapë tunele përreth qendrës së qytetit Munbixh në perëndim të lumit Eufrat në Siri, të cilën e ka okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).
YPG/PKK, e cila ka marrë qytetin nga organizata terroriste DEASH në gusht të vitit 2016 me mbështetje ajrore dhe të armëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është duke bërë një përgatitje kundër një operacioni ushtarak të Turqisë.
Nga pamjet të cilat AA arriti t'i bëjë nga pjesët e brendshme të disa tuneleve, mund të vërehet se si vazhdojnë gërmimet për zgjatjen e tuneleve.
Në tunelet e ndriçuara me instalimet elektrike, gjenden mjete të punës dhe karroca të dorës.
Tunelet të cilat janë gërmuar aq sa nevojitet për të ecur me armë janë duke rrethuar qendrën e qyteti.
Terroristët me tunelet e hapuara brenda zonave shkëmbore synojnë të mbrohen nga sulmet ajrore, të bëjnë sulme të papritura përpara vijës së frontit duke dalë nga pjesa e pasme dhe nëse nevojitet të fshehen.
Në pamjet e AA-së të publikuara më 5 tetor mund të shihet se si YPG/PKK ka rrethuar qendrën e Munbixhit me hendekë dhe mburoja. Në fotografitë satelitore, linjat në fjalë mund të vëreheshin nga qielli si vija të bardha.
"Tashmë po gërmonin hendekë përreth Munbixhit. Vërtetë, janë duke i bërë gati varret e tyre. Si duket, nuk do të na lënë shumë punë", kishte deklaruar Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me çështjen.
Edhe në Afrin dhe rrethinë të çliruar nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) nëpërmjet Operacionit "Dega e Ullirit" janë zbuluar shumë tunele dhe strehimore të terroristëve.