Sevil Çelik
22 Maj 2017•Përditësim: 22 Maj 2017
STAMBOLL (AA) – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) doemos duhet të bëhet një mjet efektiv për zgjidhjen e problemeve rajonale, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, e cila numëron 12 anëtarë të përhershëm, në Stamboll mbahet Samiti i liderëve në të cilin në fjalimin hyrës presidenti turk Erdoğan theksoi se suksesi më i madh është që organizata për tryezën e njëjtë dhe rreth interesave të përbashkëta mblodhi vendet e rajonit më problematik në botë.
“Sigurisht se mes vendeve në rajon mund të ekzistojnë probleme politike, madje ndonjëherë edhe probleme ushtarake. Sa më larg të mbajmë Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik nga këto lloje të problemeve, frutet e punës do të jenë më të mëdha. Konsideroj se duhet të bëjmë edhe hap shtesë dhe të bëjmë këtë organizatë instrument të zgjidhjes së të gjitha problemeve në rajon. Andaj duhet të lëmë menjëanë dallimet dhe mospajtimet që kemi, ndërsa të vëmë në fokus atë që kemi të përbashkët”, tha Erdoğan.
Duke theksuar se siguria është parakusht themelor për një mjedis të shëndetshëm për tregti dhe investime, Erdoğan tha se qëllimi i përbashkët i të gjitha vendeve në rajon duhet të jetë krijimi i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. Ai shtoi se Turqia ofron çdo lloj privilegji për të gjithë investitorët e huaj, pa përjashtim, dhe kjo është një shembull për t'u ndjekur.
“Realiteti është se vendet e rajonit të Detit të Zi aktualisht në shkëmbimin tregtar janë nën mundësitë potenciale. Ne doemos duhet të kërkojmë mekanizmat e avancimit të këtij lloji të bashkëpunimit. Nëse shfrytëzojmë potencialin e bashkëpunimit vetëm në fushën e turizmit, kjo do të jetë një fillim i ri i prosperitetit në rajon”, porositi presidenti Erdoğan.
Në Samitin në Stamboll marrin pjesë presidentë, kryeministra ose ministra dikasterial të 12 vendeve anëtare, por edhe delegacione të shumë vendeve vëzhguese dhe partnerë, mes të cilave janë SHBA-të, Gjermania, Franca, Kroacia, Izraeli, Egjipti, Italia dhe të tjera.
Pas përfundimit të Samitit do të publikohet deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve me rastin e 25 vjetorit të ekzistimit të Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, të cilën e përbëjnë Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani, Bullgaria, Armenia, Gjeorgjia, Moldavia, Rumunia, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia.