Admir Fazlagikj
21 Janar 2016•Përditësim: 22 Janar 2016
SHKUP (АА) – Kufiri jugor i Maqedonisë sërish është hapur për refugjatët, qarkullimi i tyre zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa ngecje. Në vendkalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Greqisë një grup i vogël prej disa dhjetëra refugjatë pret të hyjë. Pasi kanë kryer regjistrimin e tyre ata kaluan kufirin dhe hynë në territorin e Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë për AA e konfirmuan nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB) duke thënë se qarkullimi i refugjatëve po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa. Pasi t’i tregojnë dokumentet e identifikimit dhe të tregojnë destinacionin final, gjegjësisht, siç theksojnë nga MPB-ja, nevojitet “të tregojnë vendin e BE-së në të cilin duan të udhëtojnë”.
Pasi të kryhet procesi i regjistrimit, refugjatët lëshohen drejt kampit të pranimit për refugjatë në Gjevgjeli, ku u sigurohen ndihma të nevojshme humanitare. Po ashtu, nga MPB-ja theksohet se shkaku i mbylljes së djeshme të kufirit për refugjatë është kërkesa e Sllovenisë për zvogëlimin e numrit të refugjatëve për shkak të problemeve me hekurudhën.
Një grup prej 350 refugjatësh i cili mbrëmë mbeti në qendrën e pranimit për refugjatë në Gjevgjeli, me minibusë dhe taksi u nisën drejt vendkalimit kufitar verior Tabanoc, ndërsa për ata që sot mbërrijnë, aktivistët që janë të pranishëm në qendrën e pranimit theksojnë se do të sigurohet transport me tren, pasi të mbushet numri i nevojshëm.
Momentalisht, në qendrën e pranimit ka rreth 200 refugjatë, të cilëve u sigurohet ndihma e nevojshme humanitare dhe mjekësore.
Në qendrën transitore të pranimit për refugjatë “Vinojug” në Gjevgjeli, janë të pranishëm nëpunës policorë nga vendet e huaja, nga Serbia dhe Hungaria, të cilët u ndihmojnë aktivistëve për regjistrimin e refugjatëve.
Nga MPB-ja informojnë se gjatë 24 orëve të fundit nuk janë dhënë vërtetime për shtetas të huaj që kanë shprehur qëllimin e parashtrimit të kërkesës për njohjen e të drejtës së azilit.