Cuneyt Davut,Bekim Laci
03 Maj 2016•Përditësim: 03 Maj 2016
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, uruan pranimin e Kosovës në UEFA, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa uroi për pranimin e Kosovës në UEFA, duke u shprehur se ndjehet shumë i lumtur dhe krenar nga arritja e vendit një sukses kulminant historik. ‘
"Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme", shkroi Mustafa në postimin e tij, duke shtuar se rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, uroi pranimin e Kosovës në UEFA.
‘’Kosova në UEFA! Urime vëllazërore dhe nje "big like" gjithë atyre që punuan për këtë arritje kaq të rëndësishme", shkroi Rama në postimin e tij.

Gjithashtu, edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka uruar qytetarët e Kosovës lidhur me vendimin e UEFA-s për pranimin e Kosovës si anëtare të plotfuqishme të saj.
Në urimin e tij Veseli shkruan mes tjerash se futbollistët e Kosovës do të mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare.
“Dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi. Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën! Tanimë jemi anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe futbollistët tanë mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare”, ka shkruar Veseli.
Rikujtojmë se më herët, 54 delegatët e Kongresit të 40-të të UEFA-së, me 28 vota pro, 24 kundër dhe 2 abstenime në Budapest votuan për pranimin e Kosovës në UEFA.