Sibel Vezaj
01 Shtator 2016•Përditësim: 01 Shtator 2016
PRISHTINË (AA)- Qindra qytetarë sot u mblodhën në kryeqytetin e Kosovës, në sheshin “Ibrahim Rrugova”, për të protestuar kundër ratifikimit të marrëveshjes për kufirin shtetëror mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e organizuar nën kujdesin e Lëvizjes Vetëvendosje, filloi e qetë, ku protestuesit u mblodhën përpara ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila ishte e rrethuar me policë të shumtë.
Protestuesit qëndruan pakë kohë përpara Kuvendit, duke brohoritur me sloganet “Poshtë Qeveria”, “Marrëveshja nuk kalon”, “Toka është e jona, jo e Qeverisë”, “Rrugova është Kosovë, Kosova nuk shitet”. Ata mbanin në dorë flamuj kombëtarë dhe disa prej tyre edhe flamuj të SHBA-ve.
Pas kësaj, qytetarët vazhduan drejt rrugës “UÇK” prapa Kuvendit, e cila ndodhet më afër sallës plenare ku do të mbahet seanca për ratifikimin e marrëveshjes së "Demarkacionit". Protestuesit kërkuan t’i afrohen Kuvendit, por Policia e Kosovës formoi një kordon të njësisë speciale, duke marrë masa të rrepta.
Ndërkohë seanca plenare ka filluar, ndërsa Lista Serbe ka konfirmuar se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë në seancë, për shkaqe te sigurisë.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook ka bërë të ditur se deputetja e kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti janë arrestuar nga Policia. Ndërkohë nuk ka informacione për arsyen e këtyre arrestimeve.