Sinan Uslu
02 Tetor 2016•Përditësim: 02 Tetor 2016
ANKARA (AA) – Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë njoftoi se nga fillimi i ofensivës “Mburoja e Eufratit” në veri të vijës kufitare të Sirisë nga elementet terroristë janë çliruar afër 960 kilometra katrorë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin thuhet se forcat opozitare siriane me mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) nga 24 gushti deri më sot kanë çliruar një rajon prej 960 kilometrave katrorë, ndërsa në këtë periudhë 6.319 herë janë goditur gjithsej 1.657 pozita terroriste.
Dje, në ditën e 40-të të ofensivës, pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane me mbështetje të forcave turke kanë çliruar nga DAESH-i katër vendbanime në rajonin Rai.
Aksionit të çlirimit i parapriu sulmi artilerik gjatë të cilit forcat turke shkatërruan 79 pozita të zbuluara të DAESH-it. Paralelisht me këtë, forcat ajrore turke kanë goditur dhe shkatërruar shtatë pozita të DAESH-it, ndërsa me këtë rast janë vrarë së paku katër terroristë, janë shkatërruar shtatë objekte të cilët terroristët i shfrytëzuan si vende komanduese dhe depo për armë.
Në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë theksohet se gjatë aksionit në kuadër të “Mburojës së Eufratit” bëhen përgatitje të kujdesshme dhe të hollësishme për të evituar dëmtimin e civilëve të pafajshëm.
Me qëllim të përforcimit të sigurisë në zonat kufitare, mbështetjes së forcave të koalicionit dhe neutralizimit të kërcënimit terrorist, Turqia para 40 ditëve inicioi operacione ushtarake në veri të Sirisë.
Operacioni i cili edhe më tej është duke zgjatur bazohet në të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në miratimin e Parlamentit Kombëtar i cili iu ka dhënë ushtarëve autorizime që në pajtueshmëri me kërcënimet të veprojnë edhe në rajonin e Sirisë fqinje.