Besar Ademi
23 Janar 2016•Përditësim: 24 Janar 2016
SHKUP (AA) – Në Komunën e Sarajit të Shkupit, me një ceremoni solemne u inaugurua shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Isa Boletinit. Shtatorja është donacion nga shoqata “Vatra” e Dërvenit, ndërsa është punuar në Shqipëri nga skulptori Idriz Balani, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, tha se është nder dhe kënaqësi që shtatorja e Isa Boletinit është vendosur në komunën që drejton ai. Ai theksoi se është obligim për gjeneratat e sotme të nderojnë këto figura heroike kombëtare.
“Padyshim se kjo është një ditë shumë e veçantë..., por është një ditë që shënon gjithë historinë dhe gjeografinë shqiptare për të cilën baca Isë luftoi deri në frymën e fundit të jetës së tij”, tha ai.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se armiqtë heroin kombëtar e vranë fizikisht, por nuk mundën t’i shesin ëndrrat, qëllimet dhe idealet e Isa Boletinit. Ai shtoi se Isa Boletini sot është bashkë me të gjithë heronjtë e tjerë të kombit, të cilët gjithmonë do të nderohen.
Në ceremoninë e inaugurimit të shtatores, të pranishëm ishin krerë të lartë shqiptar të vendit, kryetarë të komunave të Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Sot bëhen 100 vite nga vrasja e komandantit të forcave shqiptare, Isa Boletini, i cili u vra më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë nga malazezët.