PRISHTINË (AA) – Me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), janë mbledhur në Kuvendin e Kosovës, nën patronatin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për të hapur zyrtarisht fushatën “16 ditët e Aktivizmit”, fushatë kjo për vetëdijesimin-eliminimin e dhunës ndaj gruas në Kosovë, raporton Anadolu Agency.
Fillimisht kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kritikoi kolegët e tij deputetë, në veçanti ata të gjinisë mashkullore, për mos prezencën në këtë ngjarje duke thënë se, sot është ditë kur shoqëria duhet të ngris zërin kundër dhunës së asaj që është shtyllë e familjes, gruasë.
“Kjo ditë, para se gjithash është ditë e homazhit për nënat dhe vajzat e shoqërisë sonë që janë viktima të dhunës në familje dhe njëkjohësisht është ditë e turpit për të gjithë ata bashkëshortë dhe familjarë që ushtrojnë dhunë në emër të zakoneve të mykura të së kaluarës apo në emër të demonstrimit të forcës, si burrë”, tha Kadri Veseli.
Ai shtoi se, në 5 vitet e fundit, në Kosovë ka pasur mbi 6 mijë raste të dhunës në familje dhe në 95 përqind të këtyre rasteve, dhuna është ushtruar ndaj grave por, ka theksuar se ka ende shumë raste të pa raportuara. Që e tëra të jetë edhe më alarmante, Veseli potencoi trendin e rritjes së rasteve të dhunës ndaj gruas ku, sipas statistikave, në vitin 2010 kishte 944 raste kurse vitin e kaluar, ishin 1179 raste.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës i quajti këto “shifra të turpit në shoqërinë kosovare” dhe dukuri që duhet të ndalet, jo vetëm përmes një fushate njëjavore të vetëdijesimit por duke punuar vazhdimisht për të ngritur ndërgjegjen e shoqërisë për raportimin e rasteve të dhunës kundër gruas, me qëllim të ndjekjes penale të atyre që ushtrojnë dhunën ndaj nënave, motrave dhe bijave kosovare.
Më pas, kryeparlamentari Veseli kërkoi që të pranishmit të majnë një minutë heshtje për nder dhe kutjim të Zejnepe Bytyqi-Berishës dhe Diana Kastratit, të vrara nga bashkëshortët e tyre, si dhe të gjitha grave viktima të dhunës në familje, në Kosovë.
Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, fillimisht e ka falënderuar në veçanti, kryetarin e Kuvendit të Kosovës që ka ndihmuar dhe përkrahur fillimin e fushatës së vetëdijesimit për eliminimin e dhunës ndaj gruas, duke thënë se këtë përkrahje nuk e ka gjetur në vendet tjera kur e kanë kërkuar.
Ajo shpjegoi se “16 Ditë të Aktivizmit” është fushatë ndërkombëtare e cila po zhvillohet që nga viti 2008. Pra, nuk është kohë e gjatë por shpresojë se do të bëhet traditë të cilën do ta zhvillojmë me partnerët tanë dhe në të gjitha vendet në botë ku ne punojmë. Fillon me 25 nëntor dhe zgjatë deri më 10 dhjetor.
Sipas Roccasalvos, tema e dhunës në familje dhe ngacmimit në punë, është një zinxhirë i tërë i cili nuk fillon menjëherë me gjëra kriminale por, zhvillohet gradualisht, nga abuzimi në shkollë dhe përfundon me ngjarje të këqija.
“Një koleg në punë më tregoi se i është dashur ta tërheq fëmijën nga shkolla dhe ta dërgoi në një tjetër sepse ishte e ngacmuar në klasë dhe ajo kishte tentuar të bisedonte me prindërit e atij fëmiju por ata nuk e pranuan mirë atë, mësuesit nuk dëshironin të bënin diçka lidhur me këtë rast dhe tash, një vazjë e saj shkon në një shkollë dhe vazja tjetër në shkollën tjetër, që ia vështirëson jetën dhe mendoj se ky është fillimi i ngacmimeve dhe moskuptimit se çka do të thotë barazi gjinore”, shpjegon Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së duke potencuar se, arsimimi dhe shkolla është vendi më i mirë për ta filluar vetëdijesimin.
Kosova ka nevojë për të ngritur vetëdijen karshi rasteve në rritje të dhunës ndaj gruas dhe për të sensibilizuar opinionin kundër këtij fenomeni, si dhe ka nevojë për një qasje më të kujdesshme ndaj krimit që shpesh po tejkalohet në heshtje, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, njëherësh kryetare e Grupit të Grave Deputete.
Sipas saj, përkundër një kornize ligjore e cila ka avancuar në mënyrë thelbësore, sfidë ende mbetet mos raportimi i dhunës nga ana e qytetarëve të Kosovës ndërsa, statistika e fundit e Rrejtit të Grave të Kosovës e cila thotë se, 62 përqind të qytetarëve të Kosovës kanë përjetuar një lloj të dhunës në familje, ështe tejet tronditëse për shoqërinë kosovare dhe madje përmendet si sfidë e vendit, në Raportin më të ri të Progresit për Kosovën.
Me këtë rast, Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës (GGD) ka shprehur shqetësimin lidhur me përmasat që po merr dhuna gjinore në vend, veçanërisht kur rastet kanë përfunduar në mënyrë tragjike.
“Zejnepe Bytyqi-Berisha është viktima e fundit e dhunës në familje, pas Diana Kastratit e cila është vrarë në vitin 2011 nga bashkëshorti i saj. Rastet e Dianës dhe Zejnepit, nxjerrin në pah pasojat serioze dhe jo rrallë tragjike, për viktimat e dhunës në familje, kur urdhrat për mbrojtje nuk janë lëshuar brenda afateve të përcaktuara me ligj dhe kur gruaja bëhet viktimë e dështimit të drejtësisë” tha Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se raste tragjike si këto, janë alarm për institucionet kosovare që sundimin e ligjit duhet ta shtrijnë në gjithë territorin sepse ato pasqyrojnë mos efikasitetin e institucioneve të drejtësisë për ta parandaluar, zbuluar dhe dënuar krimin, si dhe dekurajojnë viktimat e dhunës në familje që ta raportojnë dhunën.
“Duke qenë të vetëdijshëm se dhuna në familje ndodh prapa dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur, viktimat përgjithësisht janë të thirrura që të vuajnë në heshtje. Turpi, frika apo edhe nderi, bëjnë që shumë gra, në heshtje të tolerojnë sjelljet brutale dhe dëshpëruese janë të dhënat e fundit, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës , që japin të dhëna prej 42,2 përqind të grave të Kosovës që në një formë apo tjetrën e pranojnë dhunën” deklaroi Deliu-Kodra dhe shtoi se, krahasuar me vendet tjera të rajonit, gratë dhe vajzat e Kosovës kanë tolerancë mjaftë të lartë ndaj dhunës fizike.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete potencoi se statistikat aktuale duhet të shërbejnë si alarm për institucionet, para se të ndodhin tragjeditë tjera ndërsa trajtimi i rasteve të dhunës konsiderohet edhe më problematik në zonat rurale ku, shumë gra që e denoncojnë dhunuesin, i tërheqin denoncimet e tyre për shkak të presioneve familjare, kushteve të rënda ekonomike, duke u kthyer përsëri nën një kulm me dhunuesin dhe që ironia të jetë edhe më e madhe, Blerta Deliu Kodra thotë se, përsëri gruaja është ajo që ndihet e turpëruar dhe e stigmatizuar nga shoqëria.
news_share_descriptionsubscription_contact
