jeta

Përmbytjet shkaktojnë dëme të mëdha në Malishevë

Në Malishevë, pavarësisht nga ndërprerja e reshjeve të shiut, përmirësimi i motit dhe tërheqja graduale e ujit, gjendja është ende e rëndë dhe hapësira të mëdha janë ende nën ujë

Agon Fehmiu  | 07.01.2016 - Përdıtësım : 08.01.2016
Përmbytjet shkaktojnë dëme të mëdha në Malishevë

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Bora dhe reshjet e shiut që kanë rënë pandërprerë për 48 orë, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa pjesë të Kosovës qendrore dhe perëndimore. Ndër më të goditurat është Komuna e Malishevës, me 44 fshatra dhe mbi 60 mijë banorë, së bashku me komunat e Drenasit, Lipjanit dhe Shtimjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Malishevë, pavarësisht nga ndërprerja e reshjeve të shiut, përmirësimi i motit dhe tërheqja graduale e ujit, gjendja është ende e rëndë dhe hapësira të mëdha janë ende nën ujë. Vet Malisheva është ende e përmbytur dhe vështirë e kalueshme rruga kryesore e cila dërgon në drejtim të Suharekës.  

Skënder Gajraku është një nga ata që punonte me traktor për t’i ndihmuar dhe nxjerrë njerëzit e bllokuar në ujin që kishte vërshuar daljen nga qyteza e Malishevës në drejtim të fshatit Banjë e Malishevës, një nga më të goditurat.  

“Prej mëngjesit kam dalë këtu me ndihmuar njerëzit, sa kam mundësi me i nxjerrë jashtë prej këtu. Nja 20-30 vetura i kam nxjerrë” -thotë Gajraku për AA.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe tek bizneset që ndodhen pranë rrugës. “Vërshimet si pasojë e borës dhe shiut ka bërë një dëm të madh... Pas borës e cila ka rënë një ditë, shiu ka rënë pandërprerë dy ditë” - tha Fetah Mazreku, pronari i një mobilierie, ku uji i ka dëmtuar plotësisht mallin në katin e parë të objektit.

Lidhur me situatën aktuale për AA foli Sami Kafexholli, drejtor i Administratës së Kuvendit Komunal të Malishevës i cili, gjendjen aktuale e cilësoi si të vështirë dhe me dëme të mëdha materiale. “Edhe pse reshjet e shiut janë ndërprerë qysh mbrëmë, pasojat janë evidente edhe sot. Kemi disa fshatra që janë të mbuluara nga uji...Është fat i mirë që nuk ka pasur viktima në njerëz”- tha Kafexholli.

Një i dëmtuar tjetër nga përmbytjet është edhe Safet Mazreku. “Dëmi më i madh është bërë jashtë shtëpisë se sa në shtëpi. Kam pasur disa makina dhe vegla pune. Po e shihni edhe vet murrin e lagur atje. Deri aty ka ardhur uji, krejt ky vend” thotë Safet Mazreku dhe shton se uji ka shkuar deri në dy metra lartësi.

Përveç oborrit dhe shtëpisë së Safetit, përmbytjet i kanë dëmtuar edhe të gjitha serrat dhe frutat që i kishte aty. Ai po ashtu tregon se edhe shtëpitë përreth kanë pësuar dëme të konsiderueshme në pajise shtëpiake, etj.

Ndërkohë, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është njoftuar se, fal ndërprerjes së reshjeve,  niveli i ujit i lumenjve të Kosovës është duke u ulur dhe nuk paraqet rrezik për dalje te ujërave nga shtretërit e mëdhenj të lumenjve në drejtimin Sitnicë- Nedakoc dhe Ibër-Leposaviq.

Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditëve në vijim nuk do të ketë reshje shiu dhe ngritja e temperaturave do të ndihmojë normalizimin gradual të gjendjes.

  Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın