Türkiye, kanioni Horma dhe ujëvara Ilıca mirëpresin vizitorët me pamjet e tyre me dëborë
Pas kalimit nëpër kanionin rreth 3.5 kilometra, vëmendjen e vizitorëve e tërheq edhe pishina natyrore e formuar nga uji që bie nga një lartësi prej 10 metrash duke arritur në ujëvarën e Ilıca-s

Kastamonu
Kanioni Horma dhe ujëvara Ilıca në qytezën Pınarbaşı, në qytetin Kastamonu të Türkiyes, ofrojnë pamje unike për vizitorët e saj pas reshjeve të borës.
Kanioni i Hormës i cili u formua gjatë udhëtimit shekullor të përroit Zarı, më në fund u bë i kalueshëm në këmbë nga njëri skaj në tjetrin falë një platforme prej druri 3 kilometra të gjatë, të montuar me gozhdë në shkëmbinj.
Vizitorët që përdorin platformën prej druri e cila kalon në lartësi mes shkëmbinjve gjigantë, gjejnë mundësinë të shohin të gjitha bukuritë e kanionit në këtë udhëtim emocionues.
Duke mirëpritur vizitorët me nuancat e gjelbër në pranverë dhe të verdhë e të kuqe në vjeshtë, kanioni tërheq vizitorët e tij me pamjen mbresëlënëse që paraqet kur mbulohet me të bardhë pas reshjeve të borës.
Pas kalimit nëpër kanionin rreth 3.5 kilometra, vëmendjen e vizitorëve e tërheq edhe pishina natyrore e formuar nga uji që bie nga një lartësi prej 10 metrash duke arritur në ujëvarën e Ilıca-s.
Ndërsa pemët përreth ujëvarës shfaqin një bukuri ndryshe me borën.
Kryebashkiaku Serkan Arı tha për Anadolu se qyteza ka një bukuri të ndryshme në çdo stinë.
Ai theksoi se qyteza Pinarbaşı është zemra e Parkut Kombëtar të Maleve Küre dhe se u jep kënaqësi të madhe adhuruesve të natyrës me bukuritë e tij natyrore, kanionet dhe ujëvarat. "Kanioni Horma është një kanion që tërheq shumë vëmendjen e vizitorëve me rrugën e tij prej druri të ndërtuar brenda tij, ujëvarën unike në fund, klimën dhe bimësinë unike", shtoi Arı.
- "Një vend që çdo njeri duhet ta shohë para se të vdesë"
Arı tha se numri i turistëve që vizitojnë qarkun rritet çdo vit. "Ne këtë vit kemi pritur zyrtarisht rreth 250 mijë vizitorë. Mendojmë se jozyrtarisht është mbi 300 mijë. Ky numër do të rritet. Tarrace jonë spirale në kanionin Valla dhe shilarësja më e lartë mbi greminë me dysheme xhami të Türkiyes në kanionin Valla ndodhen gjithashtu në Pınarbaşı. Është një qytezë e cila mund të vizitohet në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër, me akses të lehtë dhe kryesisht shumë pranë Ankarasë", tha ai.
Duke ftuar adhuruesit e natyrës në qytezë, Arı tha se "Ne po presim të gjithë dashamirët e natyrës, të apasionuarit e natyrës në Pinarbaşı, zemrën e maleve Küre. Është një vend që çdo njeri duhet ta shohë para se të vdesë".