Firdevs Bulut
20 Maj 2020•Përditësim: 21 Maj 2020
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha se populli turk në masë të madhe ndoqi masat parandaluese kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Bota nuk e di ende se kur do të përfundojë përhapja e sëmundjes. Por në Turqi, ne kemi parë rezultatet e masave tona", tha Koca në një konferencë për media pas një takimi të Bordit Shkencor.
"Kur numri ditor i rasteve me koronavirus të bie nën 1.000, kjo do të jetë tregues i suksesit tonë", shtoi ai.
Duke përkujtuar masën e orës policore gjatë festës së Bajramit, ai tha "nëse ndërmarrim masa paraprake tani, do t'i korrim sukseset më vonë".
"Ne nuk e dimë se sa do të vazhdojë lufta me virusin, kështu që ne po planifikojmë jetën rreth masave", tha Koca, duke theksuar se Turqia ka pasur sukses në fazën e parë të pandemisë dhe do të vazhdojë me këtë sukses edhe në fazën aktuale.
Ministri tha se deri të enjten, bizneset turke do të pranojnë udhëzime me rregullat që duhen ndjekur për të minimizuar rrezikun e përhapjes së infeksionit.
"Aplikacioni celular nga Ministria e Shëndetësisë do të përdoret për të gjurmuar udhëtimin ndërmjet qyteteve", tha ai.
Qytetarët do të përdorin kodin nga aplikacioni për të treguar se nuk janë të sëmurë dhe se nuk bartin virusin, dhe kështu do të jenë në gjendje të udhëtojnë edhe me aeroplanët dhe trenat brenda Turqisë.
Ministri Koca gjithashtu shtoi se Turqia do të fillojë sezonin e turizmit shëndetësor më herët dhe se fluturimet çarter mund të organizohen në varësi të kërkesës.
Në lidhje me orën policore të vendosur për të moshuarit, Koca tha se ata mund të largohen për në vendlindjet e tyre për Bajram, me kushtin që të mos kthehen për 30 ditë.
Përpos kësaj, Koca tha se qeveria turke po planifikon gjithashtu të testojë udhëtarët që vijnë nga jashtë në aeroporte dhe në kufijtë tokësorë.
Ministri gjithashtu tha se së shpejti do të shpaloset një plan për rihapjen e kafeneve dhe restoranteve në vend.