Kosovë, me 15 raste të reja shkon në 377 numri i të infektuarve nga COVID-19
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se në të gjithë territorin e Kosovës nga e mërkura në ora 6 të mëngjesit hyjnë në fuqi masat më rigoroze të lëvizjes, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19
Prishtinë
Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë raportuar 15 raste të reja të koronavirusit të ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 377, ndër të cilët deri më tani 63 janë shëruar dhe tetë kanë vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në 24 orët e fundit nuk është regjistruar ndonjë vdekje, por ky institut njofton se katër pacientë tjerë janë shëruar me çka numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 63.
Siç njofton IKSHPK, rastet pozitive janë raste kontakti, ndërsa komuna ku më së shumti ka raste nga të infektuarit e ri është Komuna e Suharekës, me nëntë raste.
IKSHPK po ashtu njofton se në 24 orët e fundit janë kryer 154 teste të dyshimta për COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend deri më tani është 3.410.
Sot në mbrëmje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se në të gjithë territorin e Kosovës nga e mërkura në ora 6 të mëngjesit hyjnë në fuqi masat më rigoroze të lëvizjes, me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Qytetarët do të mund të qarkullojnë vetëm për 1 orë e gjysmë (90 minuta) për nevojat e tyre midis orëve 7 e mëngjesit dhe 10 e 30 e mbrëmjes. Ndërsa qarkullimi i tyre është përcaktuar me radhë, në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit të tyre.
Vitia ka thënë se shfrytëzimi i 90 minutave nga qytetarët duhet të jetë në respektimin e distancës sociale dhe rregullat e deritanishme të mbrojtjes së shëndetit publik, ndërsa ka shtuar se ata që do t’i shkelin masat do të ballafaqohen me pasoja ligjore.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.