Kulturë

17 Nëntori - Dita Botërore e Bakllavasë

Bakllavaja, ëmbëlsira me famë botërore e mbushur me sherbet, është pa dyshim një nga kryeveprat më të spikatura të kuzhinës turke

Elvır Hodzıc  | 17.11.2024 - Përdıtësım : 17.11.2024
17 Nëntori - Dita Botërore e Bakllavasë Foto: Goturkiye

Istanbul

ISTANBUL (AA) - Bakllavaja, ëmbëlsira me famë botërore e mbushur me sherbet, është pa dyshim një nga kryeveprat më të spikatura të kuzhinës turke. Gjatë vizitës në Türkiye, kjo është thjesht një ëmbëlsirë që duhet provuar. Çdo kafshatë e kësaj ëmbëlsire është jashtëzakonisht krokante dhe e lëngshme, transmeton Anadolu.

Përgatitet duke vendosur fëstëkë të bluar, lajthi ose arra midis 40 shtresave të holla petësh, ndërsa më pas piqet dhe hidhet sherbeti.

Nëse kërkoni një rast të veçantë për të provuar bakllavanë turke dhe për të mësuar më shumë për rrugëtimin e saj nga kuzhina perandorake deri në tavolinat e sotme, sot, 17 nëntori, është dita më e përshtatshme, pasi është e shpallur si Dita Botërore e Bakllavasë.

- Ëmbëlsirë perandorake me traditë solemne

Përgatitja e bakllavasë u përsos në kuzhinat perandorake të Perandorisë Osmane, duke krijuar një ëmbëlsirë plot shije të sofistikuara. Privilegjin e përgatitjes së saj, sidomos gjatë festimeve dhe ceremonive, e kishin vetëm mjeshtrit më të aftë, të trajnuar posaçërisht në përgatitjen e bakllavasë.

Duart e tyre të afta krijuan kombinimin perfekt të petës së hollë dhe sherbetit të trashë, duke e bërë bakllavanë një kryevepër të vërtetë që është përcjellë ndër breza. Falë aromës së saj autentike dhe recetës tradicionale, bakllavaja ka mbetur një delikatesë e preferuar, qoftë si ëmbëlsirë pas drekës, qoftë si shenjë e mirëseardhjes së mysafirëve.

Pjesë e traditës së kulturës turke është të serviret bakllava gjatë ditëve të veçanta, si dasma dhe Bajram.

- Bakllavaja e Gaziantepit, shija e parë e mbrojtur e Türkiyes

Shumica do të pajtohen që bakllavaja më e mirë bëhet në Gaziantep, në provincën juglindore të Türkiyes. Në vitin 2013, Komisioni Evropian i dha bakllavasë së Gaziantepit statusin e origjinës së mbrojtur, duke u bërë produkti i parë turk i regjistruar në atë listë. Nuk është për t’u habitur që shija e saj unike është e njohur, sepse ky qytet njihet si një parajsë gastronomike me një traditë të madhe kulinarie. Gaziantepi ka marrë njohje ndërkombëtare më herët, kur u përfshi në rrjetin e qyteteve kreative të UNESCO-s falë ofertës së jashtëzakonshme gastronomike.

Në Gaziantep, arti i bërjes së bakllavasë, ashtu si në oborret osmane, u përcoll nga mjeshtër në çirak gjatë shekujve. Kjo shije unike mund të arrihet vetëm me aftësi, vëmendje ndaj detajeve dhe saktësi. Mjeshtrit e shtrijnë brumin në 40 deri në petë të holla të cilat i mbushin me fëstëkë vendas dhe gjalpë. Më pas, bakllavaja piqet në furra me dru lisi. Pas pjekjes bakllavasë, i hidhet sipër sherbet.

Bakllavaja e Gaziantepit ofron një eksperiencë të vërtetë për të gjitha shqisat. Fillimisht, tërheq ngjyra e saj e bukur e artë, më pas dëgjohet zhurma e shtresave krokante të brumit dhe pastaj të pushton aroma e fëstëkëve të freskët dhe gjalpit. Kur ta shijoni më në fund, do të ndieni një shije delikate, por të parezistueshme të pasur që shkrihet ndërsa e hani.

- Variacione të shumta

Edhe pse bakllavaja nga Gaziantepi është më e famshmja, bakllavaja si ëmbëlsirë në Türkiye shquhet për shumëllojshmërinë dhe shijen e parezistueshme në varësi të rajonit në të cilin përgatitet. Ajo që dallon shumicën e llojeve të bakllavasë është mbushja midis petëve, e cila është e ndryshme për çdo rajon të vendit dhe varet nga përbërësit që janë specifikë për atë pjesë të Türkiyes. Bakllavaja e Gaziantepit mbushet me fëstëkë, ndërsa lajthitë përdoren në rajonin e Detit të Zi. Bakllavaja e mbushur me arra është e njohur në Anadollin qendror, kurse në Thraki mund të shijoni bakllava me bajame ose të spërkatur me fara susami.

Emrat e llojeve të ndryshme të bakllavasë shpesh varen nga mënyra e prerjes dhe përbërësit e përdorur. Ndër llojet e bakllavasë që ndryshojnë sipas mënyrës së prerjes, dallohet bakllavaja në formën e karrotës, bakllavaja në formë guacke deti dhe bakllavaja në formën e folesë. Për sa u përket përbërësve, “sütlü nuriye” bëhet me qumësht në vend të sherbetit, ndërsa bakllavaja “sarma me fëstëk” dhe bakllavaja “sarma me arra” përmbajnë më shumë arrorë sesa bakllavaja klasike, ndërsa “kuru bakllavaja” (bakllavaja e thatë) është e mbushur me më pak sherbet dhe është më krokante.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın