Daullexhinjtë në Istanbul bëjnë provat e fundit për muajin e Ramazanit
Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë teknikat e tyre të ritmit dhe goditjes duke interpretuar meloditë tradicionale në mënyrë më mbresëlënëse

Istanbul
Daullexhinjtë që morën trajnimin e daulles së Ramazanit në rajonin Arnavutköy të Istabulit zhvilluan provat e fundit dhe morën certifikatat e tyre, raporton Anadolu.
Daullexhinjtë e syfyrit të cilët kanë një vend të rëndësishëm në traditat e Ramazanit, u trajnuan si në teknikat e daulleve ashtu edhe në performancën para një turme në Akademinë e Kulturës dhe Arteve "Nuri Pakdil" të rajonit Arnavutköy.
Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë teknikat e tyre të ritmit dhe goditjes duke interpretuar meloditë tradicionale në mënyrë më mbresëlënëse.
Në përfundim të procesit të trajnimit, daullexhinjve iu dhanë certifikata pas provave të fundit. Në mesin e daullexhinjve që morën certifikata ishte edhe familja Gırnatacı. Babai Mehmet Gırnatacı, nëna Yasemin Gırnatacı dhe djali i tyre Durhasan Gırnatacı morën certifikata si daullexhinj të Ramazanit.
Ömer Faruk Gök, i cili jep mësim të muzikës në Akademinë e Kulturës dhe Artit "Nuri Pakdil" në rajonin Arnavutköy, në një deklaratë për gazetarët tha se ata u kanë mësuar daullexhinjve se si të mbajnë ritmin në një mënyrë më të bukur dhe të ndërgjegjshme pa i shqetësuar qytetarët.
Ai tha se disa ritme janë të lodhshme. "Të gjithë daullexhinjtë janë të suksesshëm. Ne mund të garantojmë se qytetarët në këtë Ramazan do të zgjohen më të lumtur, jo me humor luftarak", theksoi Gök.
Një nga daullexhinjtë që u trajnua, Atakan Aslan tha se ai kishte 4 vjet që ushtron profesionin si daullexhi i Ramazanit dhe se pas trajnimit e kuptoi se kishte luajtur gabimisht në daulle.
Ndërsa daullexhiu Recep Yılmaz tha: "Ne do të përpiqemi të ruajmë zakonet dhe traditat tona sa më mirë që të mundemi pa shkaktuar asnjë shqetësim".
Ekipet e policisë së Bashkisë Arnavutköy, në kuadër të programit informuan daullexhinjtë për rregullat dhe ndjeshmëritë sociale që duhet t'u kushtojnë vëmendje gjatë detyrave të tyre.