Piktori irakian krijon vepra arti me copa druri
Duke punuar në punishten e tij në Bagdad, Akil Feyli i jep një dimension të ri artit të pikturës, duke krijuar vepra arti me copa druri

Bagdad
BAGDAD (AA) - HAYDAR KARAALP - Piktori dhe skulptori irakian, Akil Feyli, i jep një dimension të ri artit të pikturës me pikturat që krijon, duke krijuar vepra arti me copa druri, raporton Anadolu.
Duke punuar në punishten e tij, të cilën e ngriti në një ambient modest të shtëpisë së tij në jug të kryeqytetit Bagdad, Feyli për Anadolu dha informacione për artin e tij, i cili kërkon përpjekje intensive dhe punë të palodhur.
Feyli ka treguar se pikturat i ka krijuar duke përdorur teknikën e mozaikut, duke kombinuar copa druri që i ka prerë dhe formësuar sipas dizajnit që ka vizatuar. Ai tha se ka bërë një pushim nga ky art të cilin e ka nisur 27 vjet më parë, për shkak të disa kushteve të asaj kohe.
“Kur u ktheva në artin tim, gjëja e parë që bëra ishte të bëja një pikturë për motrën time, e cila vuante nga kanceri. Sikur Zoti më ktheu në këtë rrugë dhe unë vazhdoja ta bëj me kënaqësi. Disa njerëz bëhen të lumtur kur udhëtojnë jashtë vendit, por burimi im i lumturisë është realizimi i këtyre pikturave", u shpreh Feyli.
Artisti nga Iraku tha se realizon edhe vizatime dhe kaligrafi duke përdorur stilolaps dhe qymyr. Ai tha se përgjithësisht nuk përdor bojë me ngjyra në pikturat e tij, të cilat i krijon me teknikën e mozaikut nga copat e drurit dhe se ngjyrat në piktura vijnë nga ngjyra natyrale e drurit.
Feyli shtoi se arti që ushtron e ndihmon të përballojë vështirësitë me të cilat përballet në jetë dhe i ndryshon shumë fusha të jetës.
- Nuk i shet pikturat e tij
Artisti irakian deklaroi se nuk i shet pikturat e tij. "Unë nuk i shes pikturat që bëj, sepse mendoj se këto vepra që kërkojnë punë dore humbasin vlerën e tyre kur shiten. Për të bërë një pikturë nevojiten mesatarisht 4 deri në 6 muaj. M'u deshën 1 vit e 2 muaj për të përfunduar pikturën që ndërthurte historinë e asirianëve dhe babilonasve", tha Feyli.
Feyli shtoi se copat prej druri që përdor për të bërë pikturat e tij i blen nga Irani, Türkiye dhe Egjipti dhe se pikturat e tij janë ekspozuar në ekspozita të ndryshme në vend.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.