Yeter Erdine
28 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
GAZIANTEP (AA) - YETER ERDİNE
Qyteti antik Dülük, një nga 25 vendbanimet më të vjetra në botë që daton nga vitet 600 mijë para erës sonë, me tempujt që i përkisnin Mitraizmit dhe mbetjet e epokës së gurit dhe jetën shoqërore të njeriut të këtyre territoreve, shfaq para vizitorëve mundësinë për ta parë të kaluarën dhe të tashmen në një vend.
Qyteti antik shtrihej në një pikë ku kryqëzoheshin rrugët e tregtisë nga jugu, veriu, lindja dhe perëndimi. Qyteti përshkohej nga Rruga e Mëndafshit, e cila në periudhën e asirianëve shtrihej nga Mesopotamia deri në Kilikia, ndërsa në periudhën helene dhe romake nga Antakya dhe Kilikia deri në Zeugma. Qyteti antik Dülük hedh dritë në të kaluarën e viteve 600 mijë para erës sonë.
Krahas epokës së gurit, në qytetin antik mund të hasen edhe objekte nga epoka e bakrit dhe operacionet më të vjetra matematikore që njihen, si dhe gjurmë edhe nga epoka e vjetër e gurit.
Qyteti antik ka qenë pjesë e perandorive hitite, mediane, asiriane, perse dhe të Aleksandrit. Me objektet dhe strukturat historike, ai sjell në të tashmen njohuri për shumë civilizime. Dülük është qyteti antik në të cilin gjenden tempujt më të mëdhenj të Mitraizmit që janë ndërtuar nën tokë dhe të cilat njihen botërisht. Krahas strukturave historike, qyteti u ofron vizitorëve përjetimin e historisë dhe jetesës në të njëjtën kohë me xhaminë dhe shtëpitë e ndërtuara nga gurët e përpunuar.
Drejtori i Kulturës dhe Turizmit për qytetin e Gazientepit, Mehmet Aykanat, në deklaratën e tij për gazetarin e AA-së tha se është e nevojshme që ky vend të shihet si një tërësi që përbëhet nga vendi ku ndodhen tempujt e Mitraizmit, maja e Dülük-ut që ndodhet përballë ose hapësira e shenjtë që njihet me emrin “Dülük Baba”, si dhe maja Keber.
Gjurmimet në qytetin antik, siç tha Aykanat, vazhdojnë që nga viti 2003 në kryesimin e Prof. Dr. Engelbert Winter nga Universiteti Münster-it dhe si rezultat janë nxjerrë shumë gjetje të rëndësishme.
“Është nxjerrë në dritë një mbetje pallati nga vendi i shenjtë. Aty ka ende vende që duhet nxjerrë në dritë. Në Lagjen Dülük jetesa vazhdon. Përballë tempullit, jeta në fshat vazhdon normalisht. Mund të themi se kjo është qendra më e vjetër e besimit në Gaziantep. Në të kaluarën, kjo ishte pikë kryqëzimi i rrugëve tregtare nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi. Këtu ka edhe varre gurësh. Në atë kohë, të vdekurit i varrosnin në vende të quajtura nekropol. Menjëherë pranë fshatit ndodhet kjo varrezë gurore”, tha Aykanat.
“Historia dhe jeta shoqërore ngërthehen në njëra-tjetrën”
Aykanat tha se në tempull kanë zbuluar fakte rreth sakrifikimit të buajve si pjesë e besimit në perëndinë Teshup i cili njihej si një nga perënditë e hititëve. Në muret e tempullit, siç theksoi Aykanat, ndodhen relieve me figura që përshkruajnë vrasjen e buajve.
“Figura në këtë reliev mban një dritë në njërën dorë, ndërsa në dorën tjetër sëpatën me të cilët përpiqet ta sakrifikojë buallin dhe në këtë mënyrë plotësojnë besimet e tyre. Kjo përkon me periudhën e viteve 2.000 para erës sonë. Rreeth e përqark qytetit tonë ka vende arkeologjike që mbartin bukuri të veçanta. Po ashtu, nuk marrim pagesë për vizitat e vendeve tona arkeologjike. I presim mysafirët që vijnë. U ofrojmë udhërrëfyes. Shokët tanë u ndihmojnë dhe u ofrojmë të dhëna rreth qytetit. Rrjedhimisht, ne marrim lëvdata për kënaqësinë që ata ndiejnë. Aktualisht, edhe në pjesën perëndimore, në Lagjen Dülük, fëmijët luajnë futboll e njerëzit vazhdojnë jetën e tyre. Ata merren me punë të shtëpisë dhe me bujqësi në vendet ku lejohet bujqësia. Historia dhe jeta shoqërore ngërthehen në njëra-tjetrën. Kjo është bukuri në vete”, informoi Aykanat.
“Ia vlen të shihen të gjitha vendet tona arkeologjike”
Duke e rikujtuar fushatën “Tani është koha të shkohet në Gaziantep” që drejtohet nën koordinimin e prefektit të Gaziantepit, Ali Yerlikaya dhe kryebashkiakes Fatma Şahin, Aykanat u shpreh se “Duke e pasur parasysh zvogëlimin e numrit të turistëve kohëve të fundit, po bëjmë vlerësime në kuadër të fushatës ‘Tani është koha të shkohet në Gaziantep’. Ia vlen të shihen të gjitha vendet tona arkeologjike. Aty lehtë mund t’i shihni vendet më të vjetra, historinë dhe turizmin. Në veçanti, mendojmë se kohëve të fundit Gaziantepi është i rëndësishëm në aspektin e turizmit. Dëshirojmë që njerëzit nga vendi dhe jashtë shtetit t’i shohin si teksturat historike, ashtu edhe këto pjesë të bukura në vendet tona arkeologjike”.