Bekim Laci
19 Mars 2016•Përditësim: 20 Mars 2016
SHKUP (AA) - Sot dhe nesër në më shumë lokacione në Maqedoni do të realizohen një sërë aktivitetesh lidhur me shënimin e 20 marsit, “Ditës Ndërkombëtarë të Frankofonisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Manifestimin në fjalë, të hapur e shpallën kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe ambasadorja e Francës në vend, Lorans Oer.
“Nga viti 2006 kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, është anëtar i plotfuqishëm i organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë me çka përkrah dhe transmeton gjuhën, kulturën dhe vlerat franceze. Qyteti i Shkupit është vëllazëruar me qytetet e Francës, Dizhon dhe Rube me të cilët ka një bashkëpunim të suksesshëm” deklaroi kreu i Shkupit, Koce Trajanovski.
Ambasadorja e Francës, Lorens Oer, nga ana e saj tha se frankofonia ka një traditë të gjatë në Maqedoni për çka falënderoi qytetin e Shkupit për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ambasadës së Francës dhe Institutit francez në Shkup, për të shtuar se gjuha frëngjishte është lëndë mësimore në disa shkolla fillore dhe të mesme në Shkup.
Në kuadër të Ditës së Frankofonisë do të mbahen disa punëtori interaktive dhe aktivitete argëtuese për nxënës të shkollave te mesme dhe për studentë.