Bekim Laci
25 Nëntor 2015•Përditësim: 26 Nëntor 2015
SHKUP (AA)- Në shenjë të manifestimeve me rastin e Festës së Flamurit Shqiptar, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në bashkëpunim me Postën e Republikës së Maqedonisë, promovoi pullat e reja postare me dy figurat e historisë kombëtare shqiptare, që lidhen me 150 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Temos dhe 275 vjetorin e lindjes së Ali Pashë Tepelenës, raporton Anadolu Agecy (AA).
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, çmoi lartë bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve që sipas tij ka rezultuar me publikimin e shumë pullave postare nga e kaluara historike dhe kulturore të cilat njëherit pasqyrojnë edhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve të trevave të Maqedonisë.
“Ali Pashë Tepelena doli në skenë në fillim të shekullit të 19-të kur gjithë popujt e Evropës kishin filluar rilindjet e tyre kombëtare për të formuar shtetet e tyre. Këtë ide të shqiptarët e nisi Ali Pashë Tepelena” deklaroi Asani, i cili u ndal edhe te figura e Dr. Ibrahim Temos për kontributin kombëtar të të cilit tha se ka qenë i përqendruar te mërgata shqiptare në Bukuresht ndërsa njihet për pjesëmarrjen e tij në konferencën e Versajës.
Drejtori i Postave të Maqedonisë, Fadis Rexhepi, nga ana e tij tha se institucioni të cilin e drejton ai, respekton vlerat kulturore dhe historike, për çka në programin për botimin e pullave postare ka përfshirë botimin dy pullave me të cilat jep kontributin për dy figurat historike shqiptare.
“Pullat postare janë të përjetshme, të vetmet vepra arti, ku arti në një hapësirë shumë të vogël por jo të parëndësishme paraqet figura, epoka, veprimtari. Është ambasadori i vetëm që i tejkalon kufijtë, kohën dhe largësitë, i bashkon njerëzit dhe fatet e tyre” tha Rexhepi.
Pullat postare janë me vlerë nominale 16 dhe 18 denarë, të shtypura në tirazh prej nga 8000 ekzemplarë secila, ndërsa autor është Llarisa Zhivkovska Donev nga Byroja e filatelisë pranë Postave të Maqedonisë.