Tirana "vishet" me folklorin e qyteteve shqiptare
Këngëtarët dhe valltarët pjesëmarrës kanë dhuruar një spektakël për qytetarët e Tiranës, të cilët me kureshtje përcillnin “Parada e Valleve, Këngëve dhe Kostumeve Popullore”
Tiranë
TIRANË (AA) - Në Shqipëri është shënuar sot Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, ku në Tiranë është mbajtur “Parada e Valleve, Këngëve dhe Kostumeve Popullore”, me ansamblet e qyteteve të ndryshme të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kostumet e larmishme tradicionale të Shqipërisë nga ansamblet folklorike të Korçës, Lushnjes, Përrenjasit, Pukës, Vaut të Dejës, Vlorës, Himarës, Gramshit, Kërrabës, etj u prezantuan nëpërmjet një parade sot në sheshin "Nënë Tereza" dhe përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytetin e Shqipërisë.
Këngëtarët dhe valltarët pjesëmarrës kanë dhuruar një spektakël për qytetarët e Tiranës, të cilët me kureshtje përcillnin “Paradën e Valleve, Këngëve dhe Kostumeve Popullore”.
Ndërsa në ambientet e Muzeut Historik Kombetar në Tiranë është hapur ekspozita ikonografike: “Thesare të shpëtuara”. Sipas Ministrisë së Kulturës ekspozita ikonografike vjen si produkt i një pune 3-vjeçare mbi vlerësimin dhe kategorizimin e dokumentacionit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, e cila festohet në rreth 50 vende të Evropës, në Shqipëri, Ministria e Kulturës, institucionet e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin kanë zhvilluar disa aktivitete të ndryshme, si hapjen e ekspozitave, promovimin e librave rreth trashëgimisë dhe koncerte.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.