Mjeshtri turk gdhend në bastunë figurat historike
Mjeshtri i artizanatit, Şahin Karaman, krijoi një koleksion të veçantë të përbërë nga 19 pjesë duke gdhendur emrat, motivet historike dhe ngjarjet që i dhanë formë historisë turke në bastunë

Istanbul
Mjeshtri Şahin Karaman, i cili prej 41 vitesh bën punime artizanale në Istanbul, nisi projektin e famshëm në fjalë me vajzën e tij para dy viteve për të mbajtur gjallë kulturën e bastunëve (shkopinj ecjeje), raporton Anadolu.
Në kuadër të projektit, Karaman mori mbështetje nga akademikë të universiteteve të ndryshme për temat historike, motive dhe vizatime për t'u gdhendur në bastunë dhe si rezultat i punës 2 vjeçare, ai krijoi një koleksion të veçantë prej 19 pjesësh.
Karaman përdori teknika të ngulitjes dhe gdhendjes për të dekoruar shkopinjtë me ar, argjend, diamante, bruz dhe mozaikë, duke përshkruar emrat që formësuan historinë turke, ngjarjet historike dhe motive historike.
"Bastuni është simbol i fuqisë dhe fisnikërisë"
Şahin Karaman për Anadolu tha se motivet dhe dekorimet në bastunë që ai ka bërë me shumë kujdes dhe vëmendje kanë një kuptim të madh.
"Kanë kaluar 2 vjet që kur e kemi hartuar dhe filluar këtë projekt, por puna jonë sapo ka përfunduar. Ne kemi gdhendur Betejën e Malazgirtit në vitin 1071. Kemi bërë disa aspekte të historive si çlirimi i Istanbulit në 1453 dhe Fatih Sulltan Mehmet Han, Mimar Sinan, Gazi Mustafa Kemal Atatürk, Betejën e Çanakkalasë dhe Shpallja e Republikës. Besoj që kemi bërë punime shumë të mrekullueshme. Jetën e tyre e kemi gdhendur në këto bastunë. Pse? Sepse bastunë janë simbol i fuqisë dhe fisnikërisë", tha ai.
Duke theksuar se Xhamia e Madhe Aja Sofia dhe Fatih Sulltan Mehmet Hani janë gdhendur gjithashtu brenda gurëve të çmuar në bastunë, Karaman tha: "Ka lloje të ndryshme bastunësh, nga argjendi, ari, diamante dhe mozaikë. Zbatuam teknikën e smaltit, gozhdimit, gdhendjes që ne e quajmë teknikë e hedhjes së stilolapsit, që është fusha ime në punime".
Karaman deklaroi se ai përdori të njëjtën metodë për kutitë në të cilat ishin vendosur shkopinjtë.
Po ashtu deklaroi se akademikë nga 3 universitete të ndryshme kontribuan në projektin në fjalë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.