Qais Omar Darwesh Omar,Çağrı Koşak
29 Tetor 2021•Përditësim: 30 Tetor 2021
KAYS EBU SEMRA
Tabloja gjigante në formë mozaiku, e quajtur “Pema e Jetës”, e cila gjendet në dyshemenë e pallatit të ndërtuar nga kalifi emevit Hisham bin Abdulmelik në qytetin e Jerikos në Palestinë, po përgatitet të hapet për vizitorët.
Mozaiku në dyshemenë e banjës së pallatit përshkruan një prej tre gazelave rreth një peme të gjuajtur nga një luan, ndërsa dy të tjerat vazhdojnë jetën e tyre në paqe. Thuhet se ky motiv në mozaik është shpjegim i luftës dhe paqes.
Pas gati katër viteve e gjysmë punë, Ministria palestineze e Turizmit njoftoi se janë bërë përgatitjet përfundimtare për hapjen e veprës në Jeriko, e cila thuhet se është një nga veprat më të mëdha të mozaikut në botë.
Në kuadër të punimeve të kryera me mbështetjen e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), në pjesën ku ndodhet mozaiku është ndërtuar një çati e posaçme mbrojtëse me një sipërfaqe prej afërsisht 2.500 metrash katrorë.

Siç bëhet e ditur, në kuadër të punimeve restauruese, kostoja e projektit ishte 12 milionë dollarë, ndërsa rinovimet u kryen në pallatin që ishte shkatërruar nga tërmeti.
Gjithashtu thuhet se u vendosën platforma të posaçme që mozaikët të mund të vizitoheshin pa u dëmtuar.
“Një projekt i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në botë”
Iyad Hamdan, drejtor i Zyrës së Ministrisë palestineze të Turizmit në Jeriko, tha për Anadolu Agency (AA) se restaurimi është “një projekt i rëndësishëm në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në botë”.
Hamdan tha se me këtë projekt synojnë të hapin rajonin për vizitorët dhe të mbrojnë veprat historike nga kushtet e pafavorshme të motit si temperatura e lartë apo shiu.
Pema e Jetës ka gurë me 21 ngjyra të ndryshme
Hamdan shpalosi informacione edhe për pikturën gjigante në formë mozaiku 827 metra katrorë të quajtur “Pema e Jetës”.
“Tabloja përbëhet nga 38 struktura të kombinuara me mjeshtëri mozaiku të pasuruara me elemente gjeometrike, bimore dhe shtazore, dhe përmban 21 gurë me ngjyra të ndryshme”, tha ai.
Duke thënë se gurët e përdorur janë sjellë nga pjesë të ndryshme të Palestinës, Hamdan theksoi se struktura e mozaikut hedh dritë edhe mbi historinë e popullit palestinez.
Pritet të ringjallë turizmin palestinez
Hamdan u shpreh se qindra njerëz mund të vizitojnë këtë vendnë të njëjtën kohë për të parë mozaikun gjigant.
“Ne e hapëm këtë tablo në vitin 2016. Ajo u hap për turistët dhe vizitorët vetëm për një muaj. Si rezultat, numri i turistëve u rrit me 900 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015”, deklaroi ai.
E zbuluar në fillim të shekullit të kaluar, mozaiku ruhej duke u mbajtur i mbuluar me rërë deri në vitin 2010. Pasi u hap për herë të fundit për vizitorët në vitin 2016, ai iu nënshtrua restaurimit për mbrojtje të veçantë.