Türkiye, me dashurinë e tyre ruajtën trashëgiminë e babait për prodhimin e sazeve
Çifti İnanır, riparojnë dhe mirëmbajnë instrumente muzikore ndërsa janë krenarë që vazhdojnë trashëgiminë e babait të tyre

Bursa
SALİHA NUR KÖKSAL
Profesionin e Sinan Şahin, prodhuesit të sazeve i cili u nda nga jeta në vitin 2017 në qytetin Bursa të Türkiyes, e vazhdojnë nxënësi i tij Emrah Inanır që ai përgatiti që në moshë të vogël dhe vajza e tij Betül që u dashurua dhe u martua me të.
Sinan Şahin, i cili punoi si lutier (person që riparon ose prodhon dhe shet instrumente muzikore) në pasazhin Özdiken në lagjen Tahtakale për më shumë se 45 vjet, mori pranë tij Emrah İnanır si nxënës në vitin 1994 teksa ai ishte ende 11 vjeç, ndërkohë që i mësonte profesionin vajzës së tij Betül.
Betül dhe Emrah, të cilët kaluan kohë së bashku në punëtori që në moshë të re dhe mësuan këtë profesion, ranë në dashuri me njëri-tjetrin me kalimin e kohës.
Çifti u larguan nga mjeshtri i tyre gjatë shkollimit universitar dhe diplomuan në Departamentin e instrumenteve të universitetit, ndërsa më pas pasi u kthyen në Bursa për një kohë ata punuan pranë mjeshtrit të tyre si dhe si mësues me pagesë.
Pasi u martuan në vitin 2012, Betül dhe Emrah vazhduan të punonin në një punishte tjetër, të ndarë nga mjeshtri i tyre. Pasi babai i saj Sinan Şahin ndërroi jetë në vitin 2017, çifti mori nën mbrojtje trashëgiminë e tij si financiarisht ashtu edhe shpirtërisht, duke marrë në dorë punëtorinë dhe të gjitha pajisjet e tij.
Çifti, të cilit iu desh të mbyllte punishten e trashëguar nga babai i tyre për shkak të kushteve të pamjaftueshme fizike, filloi të prodhonte instrumente me tela, veçanërisht saze (bağlama) pas porosive nga e gjithë Türkiye në punishten e re që hapën në lagjen Nalbantoğlu dhe të cilën e emërtuan "Miras" (Trashëgimi)".
Çifti İnanır, riparojnë dhe mirëmbajnë instrumente muzikore ndërsa janë krenarë që vazhdojnë trashëgiminë e babait të tyre.
- Dashuria e tyre nisi derisa punonin në punishte
Betül İnanır, 41 vjeç, e diplomuar në Departamentin për Prodhimin e Instrumenteve të Konservatorit Shtetëror të Muzikës Turke të Universitetit Teknik të Stambollit, tha për Anadolu se babai i saj Sinan Şahin, ishte prodhues i njohur instrumentesh në të gjithë Türkiyen.
İnanır tha se edhe ajo e ndihmonte babanë e saj në punishte që në moshë të vogël dhe mësoi një profesion. Ajo tregon se babai i saj mori një nxënës kur ajo ishte 10-11 vjeç. "Ky nxënës tani është burri im. Ndërsa luanim dhe kalonim kohë në punishte, aktiviteti që bënim pas shkollës ishin punimet e lëmimit. Më pas, pas shkollës së mesme kur dëgjova se kishte një profesion të tillë, thashë 'po unë mund ta bëj profesionin e babait'. Edhe burri im tashmë kishte zgjedhur të ndiqte gjurmët e mjeshtrit të tij", tha İnanır.
Ajo shpjegoi se lidhja e saj e dashurisë me Emrah-n filloi teksa ata po lëmonin në punishte. "Bashkë me martesën ne të dy bashkuam njohuritë tona nga universitete të ndryshme, mësues të ndryshëm dhe teknika të ndryshme", tha İnanır. Në vazhdim ajo tha kanë një djalë i cili gjithashtu është i interesuar për këtë profesion dhe se këtë trashëgimi do t'ia dorëzojnë atij nëse ai dëshiron.
Ndërsa Emrah İnanır, 41 vjeç i diplomuar në Universitetin Ege dhe fëmijë i një familjeje muzikantësh, tha se babai i tij e dërgoi si nxënës te miku i tij i ngushtë Sinan Şahin dhe se ai punoi me mjeshtrin e tij nga mosha 11 deri në 23 vjeç.
İnanır tha se mjeshtri e tij gjithmonë e shihte atë si djalin e tij.
"Jemi përballur me shumë vështirësi gjatë gjithë jetës sonë, por kurrë nuk u dorëzuam. Historia jonë mund të jetë vërtet një film. E kemi ndërtuar me mund. Edhe Betül vazhdon profesionin e saj. Prandaj emri i punishtes është 'Trashëgimi'. Betül vazhdon profesionin në punishte nga babai i saj. Tani duam që djali ynë të vazhdojë", tha ai.