Politikë, archive

28 nëntori, "Dita e Flamurit", shpresës dhe krenarisë së çdo shqiptari

28.11.2014 - Përdıtësım : 28.11.2014
28 nëntori, "Dita e Flamurit", shpresës dhe krenarisë së çdo shqiptari

PRISHTINË (AA) - Agon Fehmiu -

Kjo datë është një nga ditët më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja, e historisë kombëtare shqiptare dhe me këtë datë lidhen edhe shumë ngjarje të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar. Më 28 Nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, nga dora e Ismail Qemalit u ngrit Flamuri Kuq e Zi, flamuri kombëtar shqiptar.

Lufta e Parë Ballkanike, ishte një luftë grabitqare dhe pushtuese e Aleancës Ballkanike ndaj territoreve të popullit shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Greqi. Shqiptarët, sikurse edhe gjithë popujt tjerë të Ballkanit ishin të interesuar për t’u pavarësuar. Mirëpo, përpjekjet e shqiptarëve ishin të kota sepse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kishin plane tjera për Shqipërinë dhe popullin e saj.
Veprimet e Serbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë për të pushtuar territoret e Shqipërisë dhe për t’i aneksuar ato, nuk u ndalën asnjëherë. Përkundrazi, me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, shtetet ballkanike filluan të dërgonin ushtritë e tyre për të okupuar territoret shqiptare.

Rreziku nga shfarosja dhe nevoja për mbijetesë kombëtare vuri në funksion shqiptarët në të gjitha viset dhe trojet e Shqipërisë etnike, pavarësisht nga shtresa shoqërore.Per te diskutuar kete problem me 14 Tetore 1912 ne Shkup u be mbledhje urgjente ne te cilen u shqyrtua gjendja momentale.

Konkluzioni nga Mbledhja e Shkupit ishte se, Perandoria Osmane do ta humb luftën dhe tokat shqiptare do bëhen pre e aspiratave pushtuese të Serbisë, malit të Zi dhe Greqisë. Prandaj, vendimi ishte të njoftohen Fuqitë e Mëdha se, populli shqiptar do të luftojë.
Në bazë kësaj deklarate e cila iu dorëzua përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup, më 16 tetor, shqiptarët kërkojnë të qeverisin vet me katër vilajetet e veta.

Pas Mbledhjes së Shkupit, delegacionet u ndanë për të shkuar në të katër anët e tokave shqiptare dhe për të mobilizuar popullatën për luftë kundër pushtuesve të Aleancës Ballkanike. Një delegacion u nis për në Malësi të Madhe për ta ndërprerë bashkëpunimin e malësorëve me Malin e Zi. I njëjti ishte autorizuar të merret vesh me krahinat e tjera shqiptare për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendos për fatin e atdheut.

Nga rajoni i Dukagjinit, delegacioni i Kosovës u nis drejt Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, ku tashmë, shqiptarët kishin filluar organizimin e mbledhjeve për zgjedhjen e delegatëve që do t’i përfaqësonin në kuvendin kombëtar.
Gjate kesaj periudhe aleanca Ballkanike ne krye me Armaten Serbe filluan pushtimin e trevave shqipetare ku bene edhe shume deme te medhaja ku shkateruan dhe dogjen fshatera e qytete.
Pa dyshim, beteja më e madhe e Kosovës ishte ajo e Kumanovës, nga 22 deri më 24 tetor, ku serbët dërguan Armatën e parë me 126 000 ushtar dhe me armatim të rëndë. Nga ana tjetër, Armata osmane e Vardarit kishte 50 000 luftëtarë shumica e ushtarëve shqiptarë. Në këtë betejë, ushtria osmane u thye përfundimisht në Kumanovë dhe qyteti u pushtua nga serbët me 24 tetor.

Pas pushtimit të Kumanovës, forcat e Armatës së parë serbe, më 26 tetor pushtuan pa luftë Shkupin. Pushtimi i Shkupit, njëherësh ishte edhe fundi i fazës së parë të Luftës Ballkanike. Periudha e dytë e Luftërave Ballkanike kishte për synim pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës dhe të Janinës.

Fitoret ushtarake të Aleancës Ballkanike, detyruan Fuqitë e Mëdha ta rishikojnë vendimin për të mos lejuar ndryshimin e hartave në Ballkan. Në fund të tetorit 1912, diplomacia dhe shtypi evropian filluan të flasin për domosdoshmërinë e ndryshimeve territoriale në Ballkan, në të mirë të serbëve, malazezve dhe grekëve. Duke parë rrezikun, shqiptarë në diasporë, filluan të veprojnë politikisht për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi, për t’i ruajtur tokat shqiptare, si dhe për ta mbledhur kuvendin kombëtar i cili do të vendoste për fatin e Shqipërisë.

Nismën për këtë veprim të ri politik e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Nga Stambolli, ata shkuan në Bukuresht ku, më 5 nëntor 1912, organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare atje. Aty u vendos të themelohej Komitetit Drejtues i cili do qeveriste vendin dhe komisioni i cili do të shkonte nëpër Evropë për të mbrojtur “të drejtat kombëtare të popullit shqiptar” përpara qeverive të Fuqive të Mëdha. Sidoqoftë, në Bukuresht nuk u përcaktua qartë nëse do të kërkohej autonomia apo pavarësia. Kjo do të përcaktohej, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve dhe qëndrimi të cilin do ta mbanin Fuqitë e Mëdha në raport me çështjen shqiptare.

Shih për këtë, Ismail Qemali me shokë vazhdoi udhëtimin për në Vjenë, për të biseduar me ambasadorin anglez, Berhtold, si dhe me ambasadorin italian. Atje, Ismail Qemali kuptoi se organizimi për mbledhjen e kuvendi kombëtar në Shqipëri kishte filluar dhe kështu, më 10 nëntor, ai i kumtoi ambasadorit Berthold se do të niset menjëherë për në Vlorë, për të marrë pjesë në mbledhjen e krerëve shqiptarë, sepse shqiptarët kishin vendosur të ruanin vendin e tyre dhe se do të luftojnë deri në fund për të mos lejuar copëtimin e vendit. Kështu, krijimi i një Shqipërie të pavarur do ta mënjanonte ndërhyrjen e Austrisë dhe të Italisë prandaj, ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri i cili, do t’iu paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, u përkrah nga qeveria austro-hungareze.
Ambasadori anglez Berhtold ia përcolli Ismail Qemalit se, Vjena ishte për një Shqipëri autonome dhe se, një opinion i ngjashëm dominonte edhe në qarqet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Mirëpo, autonomia në kuadër të Perandorisë Osmane më nuk kishte kuptim sepse ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet kurse trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokat shqiptare. Në këto kushte, zgjidhja e vetme e drejtë e çështjes shqiptare ishte: shpallja e pavarësisë.
Ky ishte konkluzioni i grupit të patriotëve të udhëhequr nga Ismail Qemali i cili, më 19 nëntor në Trieste, deklaroi se: “Menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri, do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme.

Nga Triestja, ky grup i dërgoi një telegram komisionit të formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së Kuvendit kombëtar, duke iu kërkuar që sa më shpejtë të thirren delegatët. Ideja për pavarësimin e Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u përhap shumë shpejtë dhe trojet e Shqipërisë etnike i kaploi gëzimi dhe shpresa e madhe.

Sipas vendimit të marr, Vlora ishte qendra ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar. Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali tashmë ishte nisur nga Triestja për në Vlorë.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej aty kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor 1912, mbërritën në Vlorë. Festa e popullit shqiptar me rastin e pritjes së delegatëve të gjitha viseve dhe trojeve shqiptare, ishte e jashtëzakonshme.

Në kujtimet e tij , Ismail Qemali shkruante se “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.
Puna e parë, të cilën duhej bërë udhëheqësi i patriotëve shqiptarë, ishte organizimi i forcave të armatosura. Prandaj, menjëherë më 26 nëntor 1912, Ismail Qemali themeloi komisionin për organizimn e mbrojtjes dhe iu dërgoi pleqësive të gjitha fshatrave porosinë që të mobilizoheshin të gjithë ata që janë të aftë për armë dhe të jenë në gjendje gatishmërie.

Ndërkohë, derisa në Vlorë po përgatitej kuvendi kombëtar, ushtria serbe po përparonte shumë shpejtë dhe me të madhe, në tokat shqiptare. Serbët po i afroheshin Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Prandaj, patriotët e këtyre qyteteve vendosën ta shpallin sa më shpejtë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe para aktit të kryer.

Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen, këtë e bënë Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Avancimi i vazhdueshëm i ushtrisë serbe, gjendjen në Shqipëri po e bënte gjithnjë e më të rëndë. Andaj, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, përkundër faktit se përfaqësuesit e disa krahinave ende nuk kishin arritur, morën vendimin që , të nesërmen me 28 nëntor, të mbledhin kuvendin kombëtar shqiptar.

Në mbledhjen e parë të Kuvendit ishin prezent 37 delegatë. Isa Boletini me 400 luftëtarë kosovarë arriti më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit, ndërsa me arritjen e delegatëve nga krahinat tjera shqiptare, gjatë ditëve në vijim, numri i delegatëve u rrit në 63 veta që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Shumica e këtyre delegatëve, ishin udhëheqës dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe ato të cilat ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke, kësaj mbledhjeje i dha karakterin e Kuvendit Kombëtar Mbarëshqiptarë.

Me këtë veprim, shqiptarët shprehën vendosmërinë për t’u bashkuar në një shtet kombëtar duke përfshirë të gjitha trojet dhe viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë në periudhën osmane dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi se, në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, shpëtimi i vetëm është Pavarësia e Shqipërisë. Ky propozim i kryetarit të Kuvendit u miratua njëzëri dhe pas kësaj Ismail Qemali tha: “Shqipëria me sot bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.

Pas momentit të Shpalljes së Pavarësisë në Kuvend, Ismail Qemnali doli në ballkonin e Shtëpisë së Pavarësisë dhe duke iu drejtuar popullit të Vlorës dhe rretheve të tjera tha: “Deshi Zoti, që me punën tonë, trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje, jemi të lirë, të pavarur dhe me vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!” Pas kësaj, Ismail Qemali, mori në duar dhe ngriti flamurin kombëtar Shqiptarë, flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare.

“Ja, pra, ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh për bekimet e Tij” përfundoi Ismail Qemali dhe mijëra njerëz të tubuar para shtëpisë së Xhemil Beut, selisë së Kuvendit, shpërthyen duke brohoritur. Brohoritjet, këngët dhe gëzimi kishin kapluar Vlorën; Shqipëria u bë shtet i pavarur kurse nga Kuvendi i Vlorës doli edhe Qeveria e Përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti, në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe: shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, si dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Mjerisht, me shpalljen e pavarësisë, vuajtjet e shqiptarëve nuk morën fund sepse shqiptarët nuk arritën të bashkohen, si një trup i tërë dhe i pandarë. Siç kishte thënë edhe vet Ismail Qemali: “Fati i popujve të vegjël kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha”.

Kombi shqiptar kaloi nëpër tragjedi të mëdha gjatë shekullit XX. Derisa Shqipëria u sundua nga regjimi komunist për gjysmë shekulli dhe u izolua totalisht nga bota, nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve jetoi e ndarë, nëpër republikat socialiste dhe krahinat autonome të ish-Jugosllavisë.

U bënë gabime të mëdha, u përjetuam fatkeqësi të vazhdueshme, mirëpo në fund, represioni dhe gjenocidi shekullor kulmoi me çlirimin e edhe një pjese të trojeve shqiptare. Në vitin 1999, Serbia u mposht në Kosovë dhe “Dita e Flamurit” kombëtarë filloi të festohet sërish, lirshëm.

Sot, qytetet shqiptare janë mbuluar me flamuj kuqezi. Çdo gjë është e gatshme për kremtën e Shpalljes së Pavarësisë para 102 viteve, në Vlorë. Në mbarë viset shqiptare, në çdo cep të saj, atmosfera është festive. Njerëzit janë të lumtur dhe krenar kur e valojnë Flamurin Kuqezi, simbolin trimërisë dhe e lirisë.
Nuk ka dyshim se, çdo shqiptar i Kosovës, pavarësisht nga festimi i 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në zemër e mbanë dhe e ruan një vend të posaçëm për festën e 28 nëntorit, ditës kur Flamuri Kuqezi valoi për të dërguar mesazhin se po vjen koha e Shqipërisë së Re dhe të Lirë.

Sot, fëmijët e këtij kombi, e gëzojnë jetën dhe shikojnë nga e ardhmja të vetëdijshëm se ky Flamur është dëshmi e mbijetesës për të cilën janë bërë beteja të mëdha dhe është paguar çmim shumë i shtrenjtë. Andaj, Dita e Flamurit është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë me të cilën kremtojmë se si, shqiptarët shpëtuan nga robëria dhe filluan rrugëtimin drejtë një jete të lirë dhe një të ardhme më të mirë.

Shenja e kombit shqiptarë, Flamuri Kuqezi me shqiponjën dy krenare, na e kujton këtë, çdo 28 nëntor.


@aa_albanian

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın