Politikë

Brnabiq: Marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci, përpjekje për formimin e një blloku para-ushtarak në rajon

“Për Serbinë është një kërcënim për sigurinë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne presim që për këtë të diskutohet hapur, në të gjitha institucionet përkatëse”, tha Brnabiq

Zlatan Kapic  | 07.04.2025 - Përdıtësım : 07.04.2025
Brnabiq: Marrëveshja Kosovë-Shqipëri-Kroaci, përpjekje për formimin e një blloku para-ushtarak në rajon

Sarajevë

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ka shprehur shqetësimin për iniciativën për bashkëpunim ushtarak midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe ka deklaruar se Beogradi mbetet i përkushtuar për dialogun me Prishtinën nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Gjatë bisedës në Beograd me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Brnabiq ka theksuar shqetësimet e Beogradit për iniciativën e bashkëpunimit trepalësh të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ai memorandum, i arritur pa transparencë, paraqet një përpjekje me anashkalimin e të gjitha institucioneve për të formuar një bllok para-ushtarak në rajon. Për Serbinë është një kërcënim për sigurinë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne presim që për këtë të diskutohet hapur, në të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe këtu”, tha Brnabiq.

Sipas kryeparlamentares serbe, “Prishtina nuk është një vend i kërcënuar, por një vend që me vite po kërcënon”.

Brnabiq tha se sipas ligjit ndërkombëtar, i vetmi aktor legjitim i sigurisë në Kosovë është KFOR-i dhe shtoi se presin që KFOR-i të zbatojë mandatin e saj.

Ajo falënderoi KFOR-in për përpjekjet e deritanishme dhe tha se shpreson që KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe efikase.

Brnabiq gjithashtu tha se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak si një partner aktiv në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe përmes të cilit, siç tha ajo, “ne bashkëpunojmë me NATO-n në disa fusha, duke filluar nga siguria deri në shkencë”.

Më 18 mars në Tiranë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, i cili synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.


- Serbia është e “përkushtuar” për dialogun me Prishtinën nën kujdesin e BE-së

Më tej, Brnabiq tha se Beogradi mbetet i përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe ndaj dialogut me Prishtinën nën kujdesin e BE-së.

Ajo theksoi se është në interesin jetik të Serbisë që të ruajë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Ky është një rajon i vogël, territorialisht i vogël, i vogël për nga numri i banorëve. Çfarëdo destabiliteti, në cilindo vend apo cilindo territor të këtij rajoni, do të ndikonte drejtpërdrejtë në mundësinë për të vazhduar me reformat tona dhe për të vazhduar me përmirësimin për të gjithë qytetarët tanë”, tha Brnabiq.

Siç tha ajo, vizita e një delegacioni kaq të madh të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Beograd është “një shenjë e qartë për Serbinë se dialogu mbetet një vlerë që duhet ta vlerësojnë të gjithë në rajon dhe në Evropë, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme politike”.

Ajo gjithashtu theksoi se Serbia nga të gjithë të tjerët në rajon ka motivin më të vogël për të kërcënuar apo destabilizuar rajonin në çfarëdo mënyre, sepse sipas saj, Serbia ka arritur më së shumti dhe duhet të mbrojë këto arritje.

Kryeparlamentarja serbe gjithashtu theksoi se është e pamundur që Serbia të diskutojë për bashkëpunimin me NATO-n pa përmendur situatën në Kosovë, ku siç tha ajo, “serbët dhe të tjerët jo-shqiptarë, veçanërisht romët, janë të ekspozuar ndaj presionit të përditshëm institucional, dhunës ligjore dhe sulmeve fizike”.

Ajo gjithashtu tha se 12 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Prishtina “nuk ka zbatuar asnjë shkronjë të asaj marrëveshjeje”.

“Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe ende nuk ka filluar, edhe pse të gjithë partnerët tanë nga e gjithë bota na kanë siguruar çdo vit se komuniteti do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, zbatimin e plotë të së cilës e ka garantuar BE-ja”, theksoi Brnabiq.

Ajo tha se nga Serbia është paralajmëruar se dhënia Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nuk do të sjellë stabilitet. Sipas saj, Prishtina e interpretoi si inkurajim për lëvizje të mëtejshme të njëanshme dhe të dhunshme këtë masë.

"Së shpejti, pas dhënies së statusit të anëtares së asociuar, autoritetet në Prishtinë mbyllën një sërë institucionesh serbe, nga qendrat sociale e deri te postat dhe degët e bankave, gjë që kërcënoi drejtpërdrejtë ekzistencën e qytetarëve të thjeshtë. Është veçanërisht tragjike që këto institucione ishin pjesë e bazës së dakorduar për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, gjë që tregon qartë se Prishtina kurrë nuk ka pasur ndonjë synim real për ta zbatuar atë marrëveshje”, tha Brnabiq.

Ajo theksoi se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut nën kujdesin e BE-së, sepse beson se nuk ka mënyrë tjetër apo më të mirë për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve përveç dialogut.


- Serbia, aktor kyç në Ballkanin Perëndimor

Nënkryetari i Komitetit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Rashid Temal, tha se Serbia është një aktor kyç në Ballkanin Perëndimor dhe se zgjedhjet strategjike të vendit do të kenë efekte të mëdha në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë në rajon.

“Sot, jemi këtu sepse i kushtojmë rëndësi të madhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Serbisë përmes Asambleve Parlamentare të NATO-s. Kjo është një platformë për dialog dhe negociata. Kemi përshtypjen se Serbia ka një vend të posaçëm si partner i NATO-s, duke marrë parasysh rolin që keni në Ballkan 30 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit”, tha Temal.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.