Erdoğan: Ankaraja nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia
“Ne gjithashtu mbajmë qëndrimin tonë në favor të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Ne vazhdimisht theksojmë se Krimea është pjesë e Ukrainës në çdo platformë, përfshirë në OKB”, tha presidenti turk
Istanbul
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka ripohuar se Türkiye nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe vazhdon ta konsiderojë atë si paligjshmëri, transmeton Anadolu.
“Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së të afërmve tanë tatarë të Krimesë, të cilët janë një nga popujt vendas të Krimesë, është ndër prioritetet tona”, tha Erdoğan në një video-mesazh për Samitin e Tretë të Platformës së Krimesë, që po mbahet në Kiev të Ukrainës.
Platforma e Krimesë është një mekanizëm koordinues ndërkombëtar i Ukrainës për të tërhequr më shumë vëmendjen globale ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2024.
Erdoğan tha se fundi i luftës Rusi-Ukrainë dhe rivendosja e paqes dhe stabilitetit në pellgun e Detit të Zi do të sjellë një lehtësim jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën.
“Ne gjithashtu mbajmë qëndrimin tonë në favor të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Ne vazhdimisht theksojmë se Krimea është pjesë e Ukrainës në çdo platformë, përfshirë në OKB”, tha presidenti turk.
Türkiye beson se lufta, e cila filloi rreth 18 muaj më parë, duhet të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Ne po bëjmë përpjekje të konsiderueshme për të mbajtur kanalet e komunikimit të hapura për ndërprerjen e gjakderdhjes dhe të paktën për të përgatitur palët për të ardhur në tryezën e negociatave”, tha Erdoğan.
Ai deklaroi se Türkiye gjithashtu vazhdon përpjekjet për të rigjallëruar Iniciativën e Drithit të Detit të Zi dhe se gjatë këtij procesi Ankaraja beson se është thelbësore të shmangen hapat që do të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon.
Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në iniciativë më 17 korrik të këtij viti. Marrëveshja u nënshkrua në korrik të vitit 2022 pas ndërmjetësimit të OKB-së dhe Türkiyes në një përpjekje për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi që ishin ndërprerë pasi Rusia filloi luftën e saj në muajin shkurt të atij viti.
Erdoğan gjithashtu përsëriti pritjen e tij për lirimin e Nariman Dzhelyal-it, nënkryetarit të Mexhlisit të Tatarëve të Krimesë dhe tatarëve të tjerë të Krimesë që u arrestuan nga Rusia në vitin 2021.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.