Politikë

Kosovë, diskutohet projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë urgjente të kompletimit të pakos ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Agim Sulaj  | 27.10.2021 - Përdıtësım : 27.10.2021
Kosovë, diskutohet projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Është mbajtur në Prishtinë tryezë diskutimi me temë “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: Pesë çështje që duhet marrë parasysh gjatë hartimit të projektligjit” e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo tryezë ka pasur qëllim të diskutojë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme sipas konfiskimit civil përkatësisht në lidhje me projektligjin e ri i cili do të rregullojë çështjen e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme si mekanizëm i ri për të luftuar korrupsionin dhe ulur motivin për të grumbulluar pasuri të fituar nga krimi.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu e cila ishte pjesëmarrje në tryezë tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë urgjente të kompletimit të pakos ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Haxhiu tha se baza aktuale ligjore, gjegjësisht konfiskimi përmes procedurave penale në Kosovë, ka dështuar. Ajo tha se që nga viti 2019 kur ka hyrë në fuqi ky ligj, nuk e ka përmirësuar situatën në terren.

“Për faktin që ne kemi një ligj që para dy viteve është trumbetuar se në momentin që kur të hyjë ai ligj në fuqi nuk do të ketë persona zyrtarë të cilët do të krijojnë pasuri në përputhje me të ardhurat që i kanë apo në kurriz të qytetarëve të Kosovës, por, edhe përkundër faktit që ai ligj është në fuqi tash e disa vite, i njëjti konsiderohet që është zbatuar në një rast të vetëm. Prandaj kjo thërret për nevojën urgjente për kompletimin e pakos ligjore”, tha Haxhiu.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se deri më tani është propozuar që në fazën hetuese të pasurisë së pajustifikueshme të themelohet një agjenci e cila do të merret me raste të tilla.

Ai tha se janë për një fushëveprim të gjerë të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke pasur parasysh natyrën e grumbullimit të pasurisë së pajustifikueshme për të cilin tha se është “koncept absolut” dhe është e vështirë të kufizohet me një rreth të caktuar të personave.

“Kur jemi tek fushëveprimi, ende nuk ka diçka përfundimtare por ne juristët pyesim se për kë vlen ligji, i cili kufizohet kryekëput tek personat zyrtarë dhe ata që kanë afërsi me këta persona dhe personat e tretë tek të cilët mund të kalohet pasuria. Në këtë aspekt edhe si GLPS, por edhe organizatat tjera të shoqërisë civile më shumë jemi për një fushëveprim të gjerë të ligjit”, tha Shamolli, duke shtuar se ligji duhet të vlejë edhe për terrorizmin, prostitucionin, trafikimin e lëndëve narkotike dhe vepra të tilla.

Koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme u miratua në prill të këtij viti ku menjëherë ka filluar hartimi i projektligjit me grup punues.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.