
TIRANË (AA) - Ruajtja e objekteve zgjedhore në Shqipëri nga policia ka vazhduar vazhduar deri në orën 07.00 të datës 21 qershor, kur edhe kanë filluar normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), raporton Anadolu Agency (AA).
Policia e Shtetit Shqiptar ka marrë disa masa për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të votimit për zgjedhjet vendore, ku nga strukturat e Policisë ishin marrë në ruajtje objektet zgjedhore në të gjithë territorin e Shqipërisë nga ora 18:00 ditës së djeshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar ka bërë të ditur se nga shërbimet e policisë janë marrë në ruajtje në të gjithë vendin rreth 5300 Qendra Votimi dhe 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit Policia e Shtetit ka angazhuar gjithsej 5.960 punonjës policie.
Mëngjesin e sotëm, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit punonjësit e Policisë së Shtetit sipas përcaktimeve ligjore kanë dorëzuar ambientet e Qendrave të Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme, ku Komisionet e Qendrave të Votimit kanë filluar veprimtarinë.
Policia ka bërë të ditur zyrtarisht se nga shërbimet e policisë gjatë natës nuk janë evidentuar probleme që lidhen me përmbushjen e detyrave në kuadër të procesit zgjedhor.
Pas dorëzimit të objekteve zgjedhore të marra në ruajtje punonjësit e policisë janë vendosur në Komisariate, stacione policore dhe në ambientet e përcaktuara.
Gjatë gjithë kohës lëvizja e punonjësve të policisë në zbatim të akteve normative do të bëhet me automjete me mbishkrimin “automjet i Policisë së Shtetit i angazhuar me detyra zgjedhore” dhe vendosja e forcave të policisë do të bëhet në Komisariate/Stacione Policie dhe në ambientet e përcaktuara, ku do të jetë i vendosur mbishkrimi “vendqëndrim i policisë për zgjedhjet”.
Në çdo rast ndërhyrja e forcave të policisë për rivendosjen e rregullit brenda Qendrës së Votimit do të bëhet me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
Kujtojmë se rreth 3.370.206 shqiptarë me të drejtë vote do ti drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në vend. Procesi i votimit ka filluar sipas orarit zyrtar të parashikuar në orën 07:00 dhe pritet të mbyllet në orën 19:00.
Ndërkohë është mbledhur edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vlerësuar situatën për problematikat e shfaqura në disa qendra votimi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.