Presidentja moldave: Anëtarësimi i Moldavisë në BE garanton një “të ardhme të paqes, lirisë dhe zhvillimit”
Sandu e përkufizoi BE-në si “spirancë të zhvillimit” të Moldavisë, duke theksuar se blloku 27-anëtarësh e ka udhëhequr vendin e saj drejt një “shoqërie të drejtë dhe një ekonomie moderne” për më shumë se dy dekada

Istanbul
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit të saj në Bashkimin Evropian (BE) siguron një “të ardhme të paqes, lirisë dhe zhvillimit”, transmeton Anadolu.
“Vetëm në BE do të jemi të mbrojtur. Vetëm në BE do të jemi të sigurt. Anëtarësimi në BE është garanci e një të ardhme të paqes, lirisë dhe zhvillimit”, tha Sandu gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili vizitoi Moldavinë.
Duke kujtuar se Moldavia ka paraqitur kërkesën e saj për anëtarësim në BE pikërisht tre vjet më parë, Sandu tha se vizita e Costa-s ka një rëndësi të veçantë në këtë drejtim.
Sandu e përkufizoi BE-në si “spirancë të zhvillimit” të Moldavisë, duke theksuar se blloku 27-anëtarësh e ka udhëhequr vendin e saj drejt një “shoqërie të drejtë dhe një ekonomie moderne” për më shumë se dy dekada.
“Edhe në kohët më të vështira, kur Kremlini po na shantazhonte me gaz natyror ose po na shkatërronte me tonë fruta, kur oligarkët kishin kapur shtetin, ne nuk devijuam nga kjo rrugë”, tha ajo.
“Kur disa politikanë u përpoqën të ndryshojnë rrugën evropiane, populli i Moldavisë i hodhi nga pushteti këta politikanë përmes zgjedhjeve, përmes votimit demokratik dhe paqësor. Dhe vitin e kaluar, në referendum e thamë me zë të lartë, ne duam që rruga jonë evropiane të jetë e pakthyeshme. Pavarësisht gjithë ndërhyrjeve, demokracia fitoi”, shtoi ajo.
Ajo shprehu besimin se siguria e Moldavisë tani është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët evropiane dhe jo thjesht një çështje e politikës së brendshme.
“Në një botë të karakterizuar nga pasiguria, kërcënime hibride, sulme kibernetike dhe fushata dezinformuese, Moldavia po forcon kapacitetin e saj për të rezistuar me mbështetjen e BE-së”, tha Sandu.
Costa, nga ana e tij, tha se BE-ja dhe Moldavia do të vazhdojnë të mbështesin paqen dhe të punojnë së bashku për të “formuar të ardhmen tonë të përbashkët”.
“Disa kërkojnë të minojnë rrugën e Moldavisë drejt progresit, prosperitetit dhe stabilitetit përmes shantazhit të energjisë, lajmeve të rreme dhe sulmeve hibride. Por populli i Moldavisë është ngritur në këmbë dhe ka forcuar rrugën evropiane të vendit në referendum vetëm disa muaj më parë”, tha Costo.
Ai shtoi se përdorimi i energjisë si armë është i “papranueshëm”, duke theksuar se BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të gatshme të mbështesin Moldavinë në arritjen e pavarësisë së plotë në lidhje me energjinë.
Moldavia paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE më 3 mars të vitit 2022 dhe vendi fitoi zyrtarisht statusin e kandidatit më vonë atë vit më 22 qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.