Shtëpia e Bardhë: Nga mesnata hyjnë në fuqi tarifat shtesë prej 104 për qind ndaj Kinës
- “Ishte gabim për Kinën që të hakmerrej”, tha Leavitt, duke shtuar se presidenti Donald Trump beson se “Kina duhet të bëjë një marrëveshje” me SHBA-në

Washington DC
WASHINGTON (AA) - Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se SHBA-ja do të vendosë një tarifë prej 104 për qind ndaj Kinës, duke filluar nga e mërkura, transmeton Anadolu.
“Do të ketë tarifa prej 104 për qind që do të hyjnë në fuqi ndaj Kinës sonte në mesnatë”, u tha gazetarëve sekretarja për media, Karoline Leavitt.
“Ishte gabim për Kinën që të hakmerrej”, tha Leavitt, duke shtuar se presidenti Donald Trump beson se “Kina duhet të bëjë një marrëveshje” me SHBA-në.
Nëse Kina arrin një marrëveshje, ajo tha se Trump do të jetë “shumë i mëshirshëm”.
“Por ai do të bëjë atë që është më e mira për popullin amerikan. Kinezët duan të bëjnë një marrëveshje. Ata thjesht nuk dinë si ta bëjnë atë”, shtoi ajo.
Leavitt tha se pothuajse 70 vende kanë kontaktuar tashmë presidentin Trump për të filluar negociata mbi tarifat pas njoftimit të tij javën e kaluar.
Trump njoftoi vendosjen e një tarife minimale prej 10 për qind për të gjitha importet dhe tarifa më të larta reciproke ndaj partnerëve më të mëdhenj tregtar të SHBA-së, përfshirë edhe ndaj Kinës dhe Bashkimit Evropian (BE).
Leavitt tha se Trump u takua me ekipin e tij tregtar më herët gjatë ditës.
“Ai i udhëzoi ata që të kenë marrëveshje tregtare të përshtatura me secilin vend që thërret këtë administratë për të arritur një marrëveshje”, tha ajo.
E pyetur nëse Trump po konsideron të ndalojë vendosjen e disa tarifave, Leavitt tha se presidenti amerikan ka treguar se nuk po konsideron një zgjatje ose vonesë dhe pret që tarifat të hyjnë në fuqi.
“Siç tha presidenti, tarifat reciproke, të cilat do të vazhdojnë të hyjnë në fuqi derisa këto marrëveshje janë negociuar dhe në vazhdim do të gjenerojnë triliona dollarë të ardhura për SHBA-në”, tha ajo.