Politikë, archive

Votohet qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa, me 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime

09.12.2014 - Përdıtësım : 09.12.2014
Votohet qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa, me 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime

PRISHTINË (AA) –Sot në Prishtinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është zgjedhur Qeveria e re e Kosovës, në krye me Isa Mustafën si kryeministër, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur Isa Mustafën për kryeministër të Republikës së Kosovës me 73 vota për, 38 kundër dhe 2 abstenime, nga 113 deputetë sa ishin prezent dhe votuan.

Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë, që u ndërpre mbrëmë, sot në mesditë vazhdoi dhe zgjati më pak se gjysmë ore. Pas hapjes nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fjalën e mori i mandatuari për kryeministër, Isa Mustafa, i cili edhe lexoi të propozuarit për ministra në Qeverinë e re.

Përbërja e Qeverisë së Kosovës e propozuar nga Isa Mustafa parashikonte që , kryeministër i Republikës së Kosovës të jetë Isa Mustafa (LDK), zv. Kryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi (PDK) dhe zv. Kryeministër dhe Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit - Kujtim Shala (LDK); zv.kryeministër Branimir Stojanoviç (Lista Serbe) .

Emrat e ministrave të cilët do të udhëheqin ministritë përkatëse janë:

Ministria e Administratës Publike - Mahir Yagcilar (KDTP)

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Lubomir Mariç (Lista Serbe)

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Arsim Bajrami (PDK)

Ministria e Diasporës – Valon Murati (PDK)

Ministria e Drejtësisë - Hajredin Kuçi (PDK)

Ministria e Financave - Avdullah Hoti (LDK)

Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Blerand Stavileci (PDK)

Ministria e Integrimit Evropian - Bekim Qollaku (PDK)

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Haki Demolli (LDK)

Ministria për Komunitete dhe Kthim – Aleksandar Jabllanoviç (Lista Serbe)

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Ferid Agani (PDK)

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Arban Abrashi (LDK)

Ministria e Shëndetësisë – Imet Rrahmani (LDK)

Ministria e Infrastrukturës - Lutfi Zharku (LDK)

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Hikmete Bajrami (LDK)

Ministria e Punëve të Brendshme – Slender Hyseni (LDK)

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Memli Krasniqi (PDK)

Ministra pa portfol do të jenë: Edita Tahiri dhe Rasim Demiri

 

Ky ishte propozimi i Isa Mustafës, liderit të LDK-së, për përbërjen e Qeverisë së re, bazuar në Marrëveshjen e bërë për koalicionin e bashkëqeverisjes PDK-LDK dhe me komunitetet pakicë, i cili u pranua nga 73 deputetë, nga gjithsejtë 113 sa ishin prezent në sallë.

Kështu, pas zyrtarizimit të djeshëm të Marrëveshjes për koalicionin e bashkëqeverisjes PDK-LDK dhe konstituimit të organeve udhëheqëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dje dhe sot, pas mbajtjes së seancave të jashtëzakonshme, u zgjodh edhe  Qeveria e re e Kosovës, të cilën do ta udhëheq Isa Mustafa. 6 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit, Kosova kompletoi institucionet e veta, Kuvendin dhe Qeverinë e re.

 

-Biografia e Isa Mustafës

Isa Mustafa ka lindur me 15 maj 1951, në Prishtinë. Ka doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi si profesor nga viti 1974. Është anëtarë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Karrierën e tij politike, Mustafa e filloi në Partinë Komuniste të ish- Jugosllavisë. Ishte ministër në Qeverinë e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, në vitet 1984 dhe 1988, ndërsa në vitin 1990 bëhet ministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil. Në Kosovë u kthye pas vitit 1999. Nga viti 2007 deri në vitin 2013, Mustafa ishte kryetar i Komunës së Prishtinës ndërsa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u bë në vitin 2010 kur në zgjedhjet partiake mposhti ish Kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiun.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın