Vuçiq takon komandantin e NATO-s: Jemi të hapur për bashkëpunim që të ruajmë stabilitetin
"Politika serbe e neutralitetit ushtarak mbetet e qëndrueshme, por ne jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon", tha presidenti serb Vuçiq
Sarajevë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua sot në Beograd me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart Munsch, transmeton Anadolu.
Vuçiq ka bërë të ditur në profilin e tij në Instagram se në takimin me admiralin Munsch kanë biseduar për çështje kyçe në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe NATO-s.
"Politika serbe e neutralitetit ushtarak mbetet e qëndrueshme, por ne jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon", tha Vuçiq.
Ai shtoi se diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin e vazhdueshëm në kuadër të programit Partneriteti për Paqe, si dhe gatishmërinë e Beogradit për të përmirësuar të gjitha format e aktivitetit të përbashkët, përfshirë reagimin civil në situata emergjente.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë rajonale, duke mbrojtur interesat tona kombëtare. Serbia është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me të gjithë partnerët, në kuadrin e parimeve të respektit të ndërsjellë dhe barazisë, dhe do të vazhdojë të kundërshtojë çdo formë të veprimeve të njëanshme që mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon" tha Vuçiq.