Politikë

Biden thekson urgjencën e armëpushimit në Gaza në takimin me Netanyahun

"Presidenti Biden ka theksuar rëndësinë kritike të mbrojtjes së jetës së civilëve gjatë operacioneve ushtarake", tha Shtëpia e Bardhë

Servet Günerigök  | 26.07.2024 - Përdıtësım : 26.07.2024
Biden thekson urgjencën e armëpushimit në Gaza në takimin me Netanyahun

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden theksoi nevojën për të mbyllur boshllëqet e mbetura dhe për të finalizuar një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh në Gaza gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu.

Gjatë takimit në rezidencën presidenciale, dy liderët diskutuan në detaje zhvillimet në Gaza dhe negociatat në vazhdim mbi marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve, thuhet në një deklaratë.

"Presidenti Biden shprehu nevojën për të mbyllur boshllëqet e mbetura, për të finalizuar marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur, për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të arritur një fund të qëndrueshëm të luftës në Gaza", njoftohet në deklaratë.

"Biden ngriti gjithashtu çështjen e krizës humanitare në Gaza, nevojën për të hequr çdo pengesë për rrjedhën e ndihmave dhe rivendosjen e shërbimeve bazë për nevojtarët si dhe rëndësinë kritike të mbrojtjes së jetës së civilëve gjatë operacioneve ushtarake", thuhet më tej.

"Presidenti Biden ripohoi angazhimin e fortë të SHBA-së për sigurinë e Izraelit kundër të gjitha kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Huthit", thekson deklarata.

Vizita në Shtëpinë e Bardhë është e para e Netanyahut që kur Bideni mori detyrën në vitin 2021. Por, presioni ndërkombëtar për një armëpushim për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe shkatërrimit në Gaza ka vazhduar të rritet ndërsa numri i të vdekurve po afrohet me shpejtësi në 40 mijë.

Kryeministri izraelit u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, gjatë të cilit ajo tha se ka shprehur shqetësimin për situatën në Rripin e Gazës.

"E bëra të qartë shqetësimin tim serioz për situatën e rëndë humanitare atje, me mbi 2 milionë njerëz që përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore dhe gjysmë milioni njerëz përballen me nivele katastrofike të pasigurisë akute ushqimore", u tha Harris gazetarëve pas takimit me dyer të mbyllura me Netanyahun.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.