Politikë

Brazili i kërkon falje Japonisë për persekutimin e emigrantëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Emigrantët japonezë në vitin 1943 u detyruan të linin shtëpitë e tyre në Santos dhe u zhvendosën në kampe

Riyaz Khaliq Khaliq  | 26.07.2024 - Përdıtësım : 26.07.2024
Brazili i kërkon falje Japonisë për persekutimin e emigrantëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Istanbul

Brazili i ka kërkuar falje Tokios, për herë të parë që kur vendi i Amerikës Latine persekutoi emigrantët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha media lokale, transmeton Anadolu.

Qeveria e presidentit Lula da Silva kërkoi falje për dy raste.

Brazili kishte detyruar emigrantët japonezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga qyteti bregdetar jugor Santos gjatë luftës, dhe në rastin e dytë, vendi i Amerikës së Jugut kishte keqtrajtuar njerëzit e burgosur në ishullin Anchieta, raportoi sot "Kyodo News" me bazë në Tokio.

Kërkimi i faljes u ofrua pasi çështjet janë hetuar nga Komisioni i Amnistisë i Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Shtetësisë, një organ këshillimor qeveritar.

"Qeveria braziliane kërkon falje për persekutimin e paraardhësve tuaj", ka thënë shefja e komisionit, Enea de Stutz.

Më herët në vitin 2022, thirrja për një falje të tillë u refuzua nga qeveria e atëhershme e krahut të djathtë e udhëhequr nga presidenti Jair Bolsonaro.

Brazili ishte një nga destinacionet e emigrantëve japonezë në fillim të shekullit të 20-të dhe në vitin 1943, afro 6.500 japonezë u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në kampe ose zona të brendshme.

Vendimi i vendit të Amerikës së Jugut për të zhvendosur emigrantët japonezë erdhi pasi u bashkua me aleatët gjatë luftës dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Tokion.

Shumica e të persekutuarve thuhet se ishin nga provinca jugore ishullore e Japonisë, Okinawa.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.