Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan zhvilloi takime dypalëshe me disa liderë botërorë në kuadër të Samitit të Liderëve të Konferencës së 31-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, presidentin e Brazilit, Lula da Silva, presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, presidentin e Irakut, Nizar Amedi dhe kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, raporton Anadolu.

Presidenti Erdogan zhvilloi aktivitet të ngjeshur diplomatik në kuadër të COP31, të organizuar në ambientet e EXPO-s në Antalya. Më 10 nëntor, Erdogan u takua fillimisht me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Gjatë takimit, ai tha se Turqia vazhdon përpjekjet, së bashku me vendet e rajonit, për të ulur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së dhe për të siguruar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe diplomacisë.
Ai theksoi se Turqia po punon për t'i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe se është e gatshme të mbështesë proces të ri dialogu. Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën e fundit në Gaza, Qipro dhe Libi. Pas takimit me Guterresin, Erdogan u takua me presidentin e Brazilit, Lula da Silva. Ky ishte takimi i parë zyrtar ndërkombëtar ballë për ballë i Lula da Silvës pas rizgjedhjes së tij në detyrë.
Gjatë takimit, ku u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Brazil dhe zhvillimet rajonale e globale, Erdogan tha se Turqia synon të çojë më tej përparimin e arritur nga Brazili gjatë kryesimit të COP30 në negociatat për klimën. Ai theksoi se COP31 është konceptuar si konferencë e përqendruar në zbatimin e vendimeve të marra.
Gjatë pritjes së kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, u diskutua për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Etiopisë si dhe çështjet rajonale. Erdogan tha se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha, veçanërisht në tregti dhe investime. Ai theksoi se mbështetja e Turqisë për paqen dhe stabilitetin në rajon do të vazhdojë.
Erdogan e përgëzoi kryeministrin etiopian për organizimin e COP32 nga vendi i tij.
Gjatë takimit me kryeministrin e Bangladeshit, Tarik Rahman, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. Erdogan theksoi rëndësinë e vazhdimit të hapave për zhvillimin e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Bangladeshit në shumë fusha, veçanërisht në tregti dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai deklaroi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet që situata humanitare në Cox's Bazar të mbetet në agjendën e komunitetit ndërkombëtar.
Erdogan priti ministrin e Energjisë të Arabisë Saudite, Abdulaziz bin Salman Al Saud. Pas takimit, në praninë e presidentit turk, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Alparslan Bayraktar dhe homologu i tij saudit nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në Projektet e Energjisë Elektrike mes dy vendeve.
Gjatë takimit me liderin e Turkmenistanit dhe kryetarin e Këshillit Popullor, Gurbanguly Berdimuhamedow, Erdogan theksoi nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë, tregtisë, industrisë së mbrojtjes dhe investimeve.
Ai tha se Organizata e Shteteve Turke po forcohet gjithnjë e më shumë dhe se rëndësia e saj strategjike u rikonfirmua në Samitin e Ankarasë. Erdogan shprehu dëshirën që Turkmenistani t'i bashkohet organit si anëtar i Asamblesë Familjare.
Më 11 nëntor, ditën e parë të Samitit të Liderëve të COP31, Erdogan priti në ambientet e EXPO-s në Antalya kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet mes Turqisë dhe Australisë si dhe çështjet rajonale dhe globale. Erdogan theksoi se potenciali i tregtisë dypalëshe mes dy vendeve është më i madh se niveli aktual dhe se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Erdogan priti kryesuesin e Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe anëtarin e Këshillit Presidencial, Zheljko Komshiq. Ai tha se Turqia vlerëson miqësinë e të tre popujve përbërës të Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.
Ai shtoi se Turqia po ndjek nga afër dhe mbështet procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Presidenti turk priti edhe zëvendëspresidentin e Kinës, Han Zheng. Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kinës si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Erdogan theksoi rëndësinë e përshpejtimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë në dukje mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të tilla si investimet, energjia, tregtia dhe turizmi.
Ai tha se Korridori i Mesëm dhe Nisma e Brezit dhe Rrugës mund të harmonizohen ndërsa në kombinim me Projektin e Rrugës së Zhvillimit krijojnë mundësi të rëndësishme bashkëpunimi për vendet.
Më 12 nëntor, në ditën e dytë dhe të fundit të Samitit të Liderëve të COP31, Erdogan u takua fillimisht me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet Turqi-Iran si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Erdogan shprehu dëshirën që konflikti mes Iranit dhe SHBA-së të përfundojë sa më shpejt dhe të vendoset paqe e qëndrueshme. Ai theksoi se për krijimin e një periudhe stabiliteti duhet të forcohet baza e kompromisit dhe t'i jepet mundësi diplomacisë.
Presidenti turk nënvizoi rëndësinë e krijimit të tryezës së negociatave pa humbur më shumë kohë.
Erdogan u takua edhe me presidentin e Republikës Demokratike të Kongos (RDK), Felix Antoine Tshisekedi. Gjatë takimit u shqyrtuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet rajonale.
Presidenti turk deklaroi se partneriteti mes Turqisë dhe RDK-së po zhvillohet në të gjitha fushat dhe se do të vazhdojnë hapat për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në tregti, transport dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai theksoi se Turqia mbështet integritetin territorial të Republikës Demokratike të Kongos dhe shprehu dëshirën për vendosjen e një stabiliteti të qëndrueshëm në vend.
Gjatë takimit me kryetarin e Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, Erdogan tha se do të vazhdojnë hapat për forcimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Sudanit. Ai theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, investime dhe bujqësi.
Erdogan rikonfirmoi mbështetjen e Turqisë për unitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Sudanit, duke theksuar se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet në terren dhe mbështet “Nismën e Paqes për Sudanin”.
Gjatë takimit me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, Erdogan tha se do të vazhdojnë hapat për t'i dhënë një hov të ri marrëdhënieve mes Turqisë dhe Pakistanit dhe se po punohet për përshpejtimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në transport dhe industrinë e mbrojtjes.
Ai theksoi se Aleanca e Mbrojtjes së Mekës e ka forcuar më tej solidaritetin mes Turqisë dhe Pakistanit. Erdogan shtoi se të dy vendet do të vazhdojnë të kontribuojnë në përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit në Iran dhe se janë të gatshme të ndihmojnë përmes qasjeve paqësore edhe në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Pakistani në rajon.
Gjatë takimit me presidentin e Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, Erdogan theksoi vendosmërinë e të dy vendeve për të zhvilluar bashkëpunimin në shumë fusha, me përparësi mbrojtjen dhe energjinë. Ai tha se paqja dhe stabiliteti i Somalisë kanë rëndësi të madhe për Turqinë, duke shprehur dëshirën për suksesin e procesit të dialogut kombëtar, vendosjen e unitetit kombëtar dhe arritjen e paqes shoqërore.
Në takimin me presidentin e Republikës së Kongos, Denis Sassou Nguesso, u diskutua për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Republikës së Kongos si dhe çështjet rajonale.
Presidenti turk tha se dy vendet kanë shënuar përparim të mirë në bashkëpunimin në fushat e tregtisë dhe investimeve dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për të shfrytëzuar potencialin e tyre dhe për të zhvilluar më tej marrëdhëniet.
Gjatë takimit me presidentin e Irakut, Nizar Amedi, Erdogan diskutoi për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Irakut si dhe çështjet rajonale.
Ai tha se është shënuar përparim në Projektin e Rrugës së Zhvillimit, i cili do të forcojë lidhjet e Irakut me botën dhe do të krijojë një korridor të ri për tregtinë Lindje-Perëndim. Erdogan theksoi se do të vazhdojnë hapat për forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha, veçanërisht në energji.
Presidenti turk nënvizoi se pret që Iraku të vazhdojë të rrisë mbështetjen për objektivin e një “rajoni pa terrorizëm”, duke theksuar se realizimi i këtij synimi do t'u sjellë përfitime të dy vendeve.
Erdogan u takua gjithashtu me presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, me të cilën diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe. Ai tha se vëllimi i tregtisë mes Turqisë dhe Tanzanisë është rritur falë hapave të ndërmarrë dhe se të dy vendet do të vazhdojnë përpjekjet për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha mbi bazën e parimit “përfitim i ndërsjellë”.
news_share_descriptionsubscription_contact
contact_the_ombudsman
is_there_an_error_in_this_story
