Gazeta amerikane: Figura nga rrethi i Trumpit janë takuar fshehurazi rivalët e Zelenskyyt në Ukrainë
Aleatët e lartë të Trumpit kanë takuar udhëheqësen e opozitës ukrainase dhe ish-kryeministren Julia Tymoshenko, dhe figurat kryesore nga partia e Petro Poroshenkos, paraardhësi i Zelenskyyt, shkruan Politico

Istanbul
Katër anëtarë kyç të rrethit të brendshëm të presidentit të SHBA-së Donald Trump raportohet se janë angazhuar në bisedime sekrete me kundërshtarët kryesorë politikë të Volodymyr Zelenskyyt në Kiev, ndërsa Washingtoni po rreshtohet me Moskën për të larguar presidentin ukrainas, shkruan gazeta me bazë në SHBA, Politico, transmeton Anadolu.
Tre ligjvënës ukrainas dhe një ekspert republikan amerikan i politikës së jashtme ka thënë se aleatët e lartë të Trumpit kanë takuar udhëheqësen e opozitës ukrainase dhe ish-kryeministren Julia Tymoshenko, dhe figurat kryesore nga partia e Petro Poroshenkos, paraardhësi i Zelenskyyt.
Diskutimet janë fokusuar në mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të përshpejtuara në Ukrainë.
Zgjedhjet, megjithatë, aktualisht janë shtyrë për shkak të kufizimeve kushtetuese sipas ligjit ushtarak. Kundërshtarët e zgjedhjeve argumentojnë se procedimi në kushtet aktuale mund të çojë në çrregullim dhe të jenë në dobi të Rusisë, duke pasur parasysh se shumë votues po shërbejnë në vijën e parë të frontit ose janë zhvendosur jashtë vendit si refugjatë.
Ndihmësit e Trumpit besojnë se Zelenskyy do të humbiste zgjedhjet për shkak të lodhjes nga lufta dhe shqetësimeve për korrupsion. Megjithëse vlerësimet e tij kanë rënë për vite me radhë, ato u rritën pas përplasjes së javës së kaluar në Zyrën Ovale, ku Trump dhe nënpresidenti i SHBA-së JD Vance e qortuan liderin ukrainas përpara se t’i tregonin derën. Sondazhi i fundit, megjithatë, e vendos Zelenskyyn në avantazh.
SHBA-ja mohon ndërhyrjen, me Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, që ka deklaruar se Trump nuk po “ndërhyn në politikën e Ukrainës”, por po kërkon një “partner për paqen”.
Trump e ka quajtur Zelenskyyn “diktator pa zgjedhje”, ndërsa drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard ka pretenduar në mënyrë të pavërtetë se Kievi ka anuluar zgjedhjet.
Megjithë shpresat e Trumpit, Zelenskyy mbetet më popullor se rivalët e tij pasi një sondazh i “Survation” pas incidentit në Shtëpinë e Bardhë tregoi mbështetje prej 44 për qind për presidentin ukrainas, me Valery Zaluzhnyn që ka rënë me më shumë se 20 pikë. Poroshenko është renditur me 10 për qind dhe Timoshenko 5,7 për qind.
Timoshenko, Poroshenko dhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, kundërshtojnë zgjedhjet para përfundimit të luftës. Por një ekspert republikan i ka thënë Politicos se “njerëzit e Poroshenkos dhe Julia, të gjithë po flasin me ‘Botën e Trumpit’”, duke e pozicionuar veten si partnerë më të lehtë që “do të pranonin shumë nga gjërat për të cilat Zelenskyy nuk është dakord”.
Kabineti i Trumpit ka sugjeruar që Zelenskyy të tërhiqet nëse nuk përputhet me planin e SHBA-së, duke përfshirë lëshime të mëdha.
Pas luftës verbale të javës së kaluar në Shtëpinë e Bardhë, “elitat ukrainase ndihen shumë të çorientuara dhe të tronditura” dhe “po përpiqen të krijojnë lidhje joformale” për të sinjalizuar se janë “gati për të luajtur lojën (e Trumpit)”, ka thënë Ruslan Bortnik, drejtor i Institutit Ukrainas të Politikës. “Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Ukraina do të mposhtet”, ka deklaruar ai.
Oleksandr Merezhko, kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, ka thënë për podkastin e Politicos, Power Play, se zgjedhjet do të shërbenin “vetëm në dobi të Moskës”.
Ai ka theksuar se “Trumpit nuk i bëhet vonë” për zgjedhjet në Ukrainë, por po përdoret nga presidenti rus Vladimir Putin për t’i nxitur ato që të “na minojnë nga brenda” dhe të dobësojnë unitetin dhe stabilitetin e Ukrainës gjatë luftës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.